BSH, kartëmonedhat 100 dhe 200 lekëshe së shpejti jashtë qarkullimit
Kartëmonedhat e prerjes 100 lekë dhe 200 lekë do të tërhiqen nga qarkullimi dhe do të zëvendësohen me prerje në monedha hekuri. Banka e Shqipërisë njoftoi dje se tërheqja do të vazhdojë deri më 31 dhjetor të vitit 2010, kur dhe do të bëhet likuidimi final i këtyre prerjeve nga tregu i parasë në vend. Sipas zyrtarëve të BSH-së, tërheqja nga qarkullimi i kartëmonedhave do të bëhet në dy faza. Në fazën e parë do të kryhet heqja e kursit ligjor, çka do të thotë që kartëmonedhat e përcaktuara më lart do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor, pra do të mund të përdoren si mjet pagese për likuidimin e transaksioneve tregtare dhe shërbimeve deri më datë 31 dhjetor të 2008. Pas kësaj date ato nuk mund të përdoren më për qëllimet e sipërpërmendura, duke mos u pranuar më si mjet pagese. Prerjet e kartëmonedhave që do të hiqen nga qarkullimi janë prerja 100 lekë, emetim i viteve 1993, 1994, 1996, imazhi i "Luftëtarit Kombëtar"; kartëmonedha e prerjes 100 lekë, emetim i vitit 1996, imazhi i "Fan S. Noli" dhe kartëmonedha të prerjes 200 lekë, emetim i viteve 1992,1994 dhe 1996, imazhi i "Ismail Qemalit". Kartëmonedhat do të këmbehen në monedha metalike pranë sporteleve të bankave të nivelit të dytë pa pagesë. Bankat e nivelit të dytë janë të udhëzuara që në periudhën 1 janar të 2009 deri më 31 dhjetor të 2010, të pranojnë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë me këmbim, prerjet e mësipërme, kundrejt vleftës së plotë fillestare (vlerës nominale), me monedha kombëtare të qarkullimit. Ky vendim mbështetet në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”.
Goditje e rëndë për bursat europiane, zhduken 170 miliardë euro
Tregjet financiare europiane kanë humbur plot 170 miliardë euro, një shifër kjo marramendëse që ka fundosur aksionet e pothuajse të gjitha kompanive të listuara. Arsyet që kanë çuar në këtë rënie të pazakontë të titujve në bursa kanë qenë publikimi i shifrave të papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe parashikimet aspak optimiste të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ecurinë e ekonomisë së "kontinentit të vjetër". Më të prekurat nga goditja e djeshme kanë qenë bankat. Ekspertët argumentojnë se një tjetër faktor që ka ndikuar në rënien e tregjeve financiare kanë qenë komentet e presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Xhan Klod Trishet, mbi taksat, inflacionin dhe rritjen ekonomike të vendeve evropiane.
“Vodafone Albania” pritet të ulë me 26% tarifat për klientët e saj
Kompania e telefonisë celulare "Vodafone Albania", pritet të ulë me 26 për qind tarifat për të gjithë klientët e saj Vodafone Card. Burime zyrtare pranë kësaj kompanie thanë dje për mediat se tashmë është hartuar edhe strategjia për zbatimin e planeve të reja tarifore. Kjo lëvizje erdhi pas kërkesës së bërë nga qeveria dhe nga Ministria e Telekomunikacioneve, në lidhje me operatorët me fuqi të ndjeshme në treg, të cilët, pas marrëveshjeve të interkonjeksionit duhet të ulin deri në 40 për qind në dy vite tarifat e telefonisë celulare me abonentët. Në vijim të kësaj kërkese, një hap të tillë, përveç Vodafone Albania-s pritet që ta marrin edhe kompanitë e tjera të telefonisë celulare në vend.
OST, linja e interkonjeksionit 400 KV Tiranë-Prishtinë, brenda vitit 2009
Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 KV Tiranë-Prishtinë do të nisë brenda vitit 2009 dhe do të përfundojë pas 20 muajsh. Qeveria gjermane pritet të mbështesë me një grant konsulencën dhe mbikëqyrjen e realizimit të projektit për linjën e interkonjeksionit për pjesën shqiptare, si dhe ka siguruar financimin e pjesës kosovare të kësaj linje përmes bankës gjermane Kfw. Burimet e OST-së thanë se kjo marrëveshje do të përfshijë çështje që lidhen me përgatitjen e dokumenteve të tenderit, vlerësimin e tij, mënyrën e operimit për mirëmbajtjen e linjës etj. Projekti për ndërtimin e linjës përfshin ndërtimin e një linje të tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së cilës 85 km në territorin e Kosovës, si dhe fuqizimin e nënstacioneve 400/220 kv “Tirana 2” dhe “Prishtina”. Kostoja financiare për këtë linjë llogaritet 58 milionë euro, prej së cilës 24 milionë euro për linjën në territorin e Kosovës dhe 34 milionë euro për atë në pjesën shqiptare.
6 Shtator 2008