E Diel, 1 Nëntor 2026

“Struket leku”, bankat në alarm për mungesën e keshit, gati të presin para



Ervin Koçi

Për herë të parë pas shumë vitesh vlera e parave në qarkullim në Shqipëri gjatë vitit të kaluar pësoi për herë të parë ulje. Gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit niveli i likuiditetit ka pasur një sasi qarkullimi të mirë të keshit, por duket se edhe ky faktor pozitiv në ekonominë tonë po pëson goditjen e tij pikërisht në një moment krize, duke konfirmuar thënien se “leku është strukur”. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë thonë se vlera e parasë në qarkullim vjet (2007) ishte 161,181.9 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2006 ajo ishte 168,254.9 milionë lekë. Pra kemi një ulje të parasë në qarkullim vitin e kaluar në krahasim me një vit më parë me rreth 70 miliardë lekë, ose me rreth 600 milionë euro. Të dhënat e mëparshme të BSH-së tregonin se çdo vit vlera e parasë në qarkullim në vend vinte drejt rritjes, ndërsa për herë të parë në vitin 2007 dhe në pjesën e parë të këtij viti po ndodh e kundërta. Niveli i likuiditetit, ose më mirë i parasë kesh në qarkullim në vend është në rënie. Specialistë të Ministrisë së Financave kanë thënë në lidhje me këtë çështje për gazetën “Albania” se “kjo ka ardhur për shkak të daljes së madhe të parasë jashtë shtetit dhe për shkak të futjes së parasë në banka”. E gjithë kjo situatë ka edhe një tjetër shpjegim, që ka lidhje me faktin që biznesi nuk po investon më në nivelet e kaluara në ekonomi.

Largimi i parasë

Dalja e parasë jashtë vendit si në rastin e importeve të larta, për arsye të tjera, si pushimet jashtë vendit, apo dhe mbyllja nga shumë individë të pasur dhe subjekte e parave në depozita jashtë vendit, për shkak të mungesës së besimit te bankat vendase, janë nga arsyet kryesore të largimit të parasë. Vendet më të fuqishme të botës në lidhje me këtë faktor ndjekin politika tepër strikte, por dhe të rafinuara njëkohësisht, të cilat nuk lejojnë që paratë që gjeneron ekonomia brenda vendit të tyre, të largohen mandej jashtë tij. Një shembull të tillë kanë nisur që ta ndjekin edhe vendet më pak të zhvilluara, si në rastin konkret fqinji ynë jugor, Greqia, e cila çdo vit, me mënyra nga më të ndryshmet, përpiqet që të frenojë fluksin e emigrantëve që punojnë aty dhe që paratë përpiqen t’i nxjerrin jashtë vendit. Rast tipik është edhe sjellja me emigrantët shqiptarë në çdo sezon veror. Gjithashtu, fakti që depozitat në banka janë rritur dhe fakti që vlera të konsiderueshme të parasë dalin jashtë vendit, e bën më të plotë panoramën e gjendjes së parasë.

Rënia e likuiditetit

Çdo vit, që prej vitit 2000 të paktën, sasia e parave në qarkullim është rritur me 30 miliardë lekë, me 20 miliardë lekë, me 25 miliardë lekë, por rënie nuk ka pasur. Rënie në nivele të tilla prej 600 milionë eurosh asnjëherë nuk ka pasur në ekonominë tonë. E tërë kjo gjendje e parasë në banka dhe dalja e saj jashtë vendit në një masë të paqartë bëjnë që ekonomia të vihet në vështirësi. Ato 600 milionë euro të munguara në vitin 2007 do të ishin një shtysë shumë më mirë dhe nuk do të lejonin këtë rënie kaq të dukshme të fuqisë blerëse. Mjetet e vetme me të cilat sasia e parasë në qarkullim mund të rritet, kanë të bëjnë me krijimin e mundësisë për biznesin që ai të investojë dhe jo të depozitojë në banka e as të nxjerrë para jashtë vendit. Është e jashtëzakonshme që brenda një viti sasia e parasë në qarkullim të bjerë me këtë vlerë. Pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka rritur normën e interesit të depozitave, sasia e parave nuk mund të binte me këtë vlerë. Për pasojë, në rastet më ekstreme të mungesës së likuiditetit në banka dhe të parasë në qarkullim në ekonomi, Banka Qendrore parashikon dhe ndërmarrjen e masave ekstreme. Kjo gjë do të kishte të bënte dhe me nevojën e madhe që mund të ketë sidomos në fund të këtij viti për para pas rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe të nevojës për para për investime. Në këtë rast BSH-ja edhe mund të hedhë në qarkullim para të re, që mund të vijë nga një emetim i ri apo prerje e re parash. Por edhe kjo gjë konsiderohet e pamundur nga ekspertët e ekonomisë, pasi siç thonë ata, “edhe prerja e parasë së re ka një kosto të madhe, ndërkohë që hedhja e parasë në forma artificiale në treg stimulon menjëherë inflacionin dhe e rrit atë, kështu që pasojat për ekonominë tonë do të ishin fatale, sidomos në fund ë vitit kur dhe çmimet sidomos ato të konsumit bëjnë punën e tyre”.

Si mund të eliminohet “strukja e parasë”

Vendet e zhvilluara dhe bankat e tyre qendrore ndërmarrin një mori masash për të shpëtuar ekonominë e tyre sa herë që paraqiten kriza të tilla. Por dhe vendi ynë i ka mundësitë për ta eliminuar një krizë të tillë, që mund të sillte pasoja serioze. Sipas specialistëve të ekonomisë, “biznesi gjithnjë mund të fitojë më shumë nga përdorimi i parasë, domethënë investimi i saj në ekonomi, sesa nga depozitimi i saj në banka”. Më tej specialistët thonë se “nuk mundet që biznesi të bjerë në këtë dëshpërim, ku brenda një viti dalin nga qarkullimi 600 milionë dollarë. Kjo sasi parash ka rrëzuar të gjithë fuqinë blerëse të vendit, pavarësisht se qeveria as që e ka idenë se si është kjo gjendje për ekonominë e vendit por dhe për investimet e saj”. Në një situatë të tillë ekspertët këshillojnë që qeveria të marrë masa dhe të stimulojë politikat nxitëse për investim si nga ana e saj me punët publike, ashtu dhe nga ana e biznesit dhe sipërmarrjes private në vend, duke i investuar paratë. Një gjë e tillë do të shtonte sasinë e parasë në qarkullim, do t’i jepte më tepër garanci shtresës së mesme dhe të varfër që të mos i ndrydhnin shpenzimet në maksimum dhe të nxisnin kursimet ekstreme, por edhe shtresa e pasur do të shpenzonte duke vënë në veprim atë që quhej qarkullimi i fortë i parasë dhe shtimi i saj. Kjo gjë, sipas ekspertëve, bëhet edhe duke lehtësuar taksat dhe tatimet për biznesin, duke nxitur eksportet dhe prodhimin vendas, si dhe duke ndërmarrë politika mbrojtëse ndaj importeve të larta.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›