Gjebrea: “Nuk prezantoj si Pipo Baudo, por as ai nuk këndon si unë”
Petrika GROSI
Teksa është drejt finalizimit të punës për programin më të ri televiziv “E diela shqiptare”, i cili do të shfaqet siç kuptohet nga titulli ditën e dielë, kantautori dhe prezantuesi i njohur Ardit Gjebrea zbulon disa detaje paraprake në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”. Ai flet për risitë e emisionit të vet, me të cilin mendon se do të mbushë një hapësirë boshe, siç e quan Arditi, të krijuar pasditen e së dielës në televizionet shqiptare. Por nuk është ky targeti i vetëm i Gjebresë. Ai thotë se më tepër rëndësi ka që të fitojë audienca të mëdha, sikurse ka bërë edhe në të kaluarën me “Telebingo-Kombëtare”. Pra Arditi ka synim që të bërë sa më shumë shqiptarë që të dashurohen pas tij. Veç të rejave mbi formatin e spektaklit që do të drejtojë, Arditi flet edhe mbi konkurrencën, e cila sipas tij është diçka e parëndësishme, pasi nuk ka rëndësi nëse je më i miri apo më i keqi, por të japësh gjithmonë maksimumin tënd dhe të punosh për atë që ti beson. E teksa e ngacmojmë paksa, duke i kërkuar të bëjë një krahasim me Pipo Baudon apo Enriko Papin, Arditi do të përgjigjet me këto fjalë: “Sigurisht, nuk e ndiej veten prezantues si Pipo Baudo, por nuk mendoj se Pipo Baudo këndon ashtu si unë.”
Çfarë do të thoshte vetë Arditi për projektin më të fundit mbi të cilin jeni duke punuar?
Spektakli “E diela shqiptare” starton në datën 21 shtator, por ne kemi një vit e gjysmë që punojmë për këtë projekt. Duke qenë se programi ka një kohëzgjatje që nga ora 13.30 deri në 19.30 dhe përmban gjithçka brenda tij, e rubrika të ndryshme, sigurisht, duhet një punë e madhe për përgatitjen e një formati të tillë. Nuk mund të realizohej brenda një kohe më të shkurtër.
Në ç’fazë jeni me punën përgatitore?
Jemi afër fundit. Gjithçka pothuajse është gati. Tashmë e kemi shumë të qartë strategjinë e këtij programi. Bëhet fjalë për minimumi, 3 vjet projekt, i cili shpresoj që do të vazhdojë (me) ose (pa) mua edhe pas kësaj periudhe.
Si lindi ideja e këtij spektakli dhe a keni marrë model nga ndonjë emision tjetër i ngjashëm me të?
E diela pasdite, gjithmonë ka qenë një orar bosh televiziv, ku nuk ka pasur produksione të qarta dhe të përcaktuara nga televizionet tona. Janë të njohura tashmë formatet italiane të dy kanaleve Rai dhe Kanali 5, përkatësisht “Domenica in” dhe “Buona Domenica”. Nëse formate të ndryshme kanë ndryshuar kohë pas kohe, këto dy emisione kanë qëndruar të njëjtat duke freskuar vetëm mënyrën e të paraqiturit. Kjo tregon për suksesin dhe domosdoshmërinë e formateve të tilla pasditen e së dielës. Një fenomen i tillë nuk vlen vetëm për Italinë, por edhe për vendet e tjera. Nëpër të gjithë kanalet e rëndësishme europiane e botërore e diela pasdite është e këtij formati. Projekti lindi fillimisht nga një bisedë me drejtorin e përgjithshëm të Tv Klan, Aleksandër Frangaj dhe më pas me regjisorin Aldo Lipe, rramë në një emërues të përbashkët për të realizuar këtë program.
A përbën një sfidë ky program i ri për Ardit Gjebrenë?
Të mos harrojmë se një eksperiencë më parë ka qenë pak a shumë me spektaklin “Telebingo Kombëtare”, sigurisht, në një formë të reduktuar, por që në një mënyrë apo në tjetrën ka pasur elemente të një të diele pasdite, siç është kjo që ne duam të realizojmë. Pra vij nga një eksperiencë. Nuk ngrihet gjithçka nga zero.
A do ta ketë ndoshta brenda tij, një tip “mini-telebingo” edhe ky program?
Nuk mendoj që për momentin do të ketë një gjë të tillë. Elementë të ndërthurrur do të jetë një bandë muzikore dhe një grup baleti, të cilët do të jenë pjesëtarë të përhershëm të stafit të programit “E diela shqiptare”. Nuk do të mungojë talk-shovv, lojërat telefonike, trajtimi i probleme sociale, ekonomike, ndonjëherë pse jo edhe problemeve politike. Pak a shumë ky është formati me të cilin ne do të ecim para.
Në këtë pikë, Arditi do të ngjajë në sytë e publikut më tepër me një Pipo Baudo, apo Enriko Papin?
Tashmë unë nuk jam më një prezantues i ri, që të mund të krahasohem me dikë tjetër. Jam Arditi që njohin të gjithë, që edhe këndoj, edhe kompozoj edhe prezantoj. Kështu që të gjitha këto shkrihen në një, në rolin që do të ketë Arditi. Sigurisht, nuk e ndiej veten prezantues si Pipo Baudo, por nuk mendoj se Pipo Baudo këndon ashtu si unë. Ndërsa Papi nuk është në stadet e një programi të tillë, po të marrim homologët e tij në Itali. Megjithatë, nuk dua të bëj asnjëherë krahasime në këtë drejtim sepse nuk më pëlqejnë pasi gjithëkush ka personalitetin e tij. Bota është shumë e madhe, në të ka vend për të gjithë. Secili nga ne jep një kontribut dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Çfarë prisni të arrini me këtë program, përveç mbushjes të së dielës për publikun?
Unë nuk mbush hapësira, por krijoj audienca të mëdha. Mendoj se me një staf të jashtëzakonshëm, siç është ai i programit tonë do të arrijmë nivele shumë të mira. Ky është targeti ynë. Duam që të kemi një audiencë shumë të madhe, për t’i dhënë një produkt shumë të mirë teleshikuesit shqiptar kudo që ndodhet. Duke qenë të impenjuar dhe me kërkesa të larta profesionale, do të mundohemi që të tërheqim sa më shumë audiencë, për të kuptuar se çfarë duhet trajtuar dhe çfarë duhet dhënë sot në programet shqiptare. Ndaj kam insistuar shumë për të krijuar një staf shumë të mirë, që të gjithë sëbashku të bëjmë “E diela shqiptare”.
Pra ju jeni ideatori i gjithë kësaj?
Nuk do të thoja asgjë se çfarë jam unë... Më pëlqen më mirë të përdor një tjetër frazë: “Ne jemi!”
Ndërkaq, sipas disa burimeve tona edhe Adi Krasta po përgatit një program të ngjashëm, që do të shfaqet ditën e dielë në një tjetër televizion. A iu vështirësohet puna në këtë pikë dhe sa e ndieni konkurrencën?
Nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë gjë. Krastën e kam mik shumë të mirë. Në rastin konkret, nëse ekziston një projekt i tillë i uroj shumë suksese. Siç e thashë edhe më parë, ne të gjithë plotësojmë njëri-tjetrin dhe çfarëdo që të bëjë, besoj do të jetë një program me elementë profesionale, ashtu siç Krasta ka treguar gjithmonë se di t’i bëjë. Në rastin e konkurrencës, ne gjithmonë shtyhemi për të ecur para, por unë nuk punoj për konkurrencë.
Pra Arditi nuk ka target të jetë gjithmonë “më i miri”?
Për mua nuk ka rëndësi klasifikimi më i miri apo më i keqi. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh. Unë bëj atë në të cilën besoj, pra, dua të jap më të mirën time. Nëse ajo është e para, e dhjeta apo e njëqindta, nuk më intereson. Pastaj është publiku ai që vendos nëse do ta mbajë telekomandën në kanalin ku jam unë, apo do të shikojë gjëra të tjera. Për mua është e rëndësishme që të jap një kontribut.
Së fundi, nuk mund të rri pa u pyetur mbi muzikën?
Kam kohë që punoj mbi këtë projekt dhe pasi ta shtroj mirë në shina, ndoshta pas një sezoni, do të nis të mendoj për një album të ri.
6 Shtator 2008