Policia nuk njeh pronarët e tokave, asnjë i arrestuar për 5000 rrënjë Cannabis
Qeveria nuk njeh as shtetasit që kanë në pronësi tokat ku janë kultivuar bimë narkotike, pasi në dy operacionet më të fundit të Policisë së Shtetit në Gjirokastër dhe Shkodër, ndonëse janë asgjësuar me mijëra rrënjë, nuk ka asnjë të prangosur me arsyen se Cannabis është kultivuar në tokë pa pronar. Burime zyrtare raportojnë se gjatë dy ditëve të fundit janë kryer operacione në komunën Picar të rrethit jugor dhe në komunat e Shkrelit dhe Postribës në rrethin verior. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës “operacioni i kodar me emrin ‘Anti-Cannabis’ është zhvilluar në pyllin e fshatit Kaparjel të komunës së Picarit, i cili është i pabanueshëm, pasi është braktisur nga banorët vite më parë. Në vendin e quajtur përroi i Pilatit janë evidentuar 3 parcela të hapura rishtas për të kultivuar bimë narkotike. “Në këto parcela janë evidentuar gjithsej 1.182 rrënjë bimë të dyshuara si Cannabis Sattiva, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 290 centimetra të larta dhe ishin në fazën e fundit të pjekjes”, - thotë zëdhënësi Gentian Mullai. Për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së rrugës automobilistike bimët narkotike janë asgjësuar në vend me anë të djegies, ku disa bimë dhe sendet e tjera të gjetura në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mullai pohon se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kanë grumbulluar informacione në rrugë operative për autorin e mundshëm të këtyre bimëve narkotike dhe po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen e autorit të kësaj vepre penale. Një operacion i ngjashëm ka nisur që në orët e para të dy ditëve më parë në Qarkun e Shkodrës për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike. Zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia bën të ditur se u bë i mundur konstatimi i 5.860 rrënjëve bimë me karakteristikat e Cannabis Sattiva. Nga këto 3960 rrënjë, të ndara në 7 parcela, janë konstatuar në fshatin Ura e Shtejtë, në komunën e Postribes. Ndërsa në fshatin Xhaj, të komunës së Shkrelit, nga kontrolli i ushtruar, u zbulua 1 parcelë e mbjellë me 1900 rrënjë bimë Cannabis Sattiva. “Këto parcela ishin të mbjella në tokë të shpyllëzuar pa pronar të ligjshëm”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Qarkut,
Në mbyllje të aksionit policor, rrënjët e identifikuara si bimë të llojit Cannabis Sattiva u shkulën dhe u asgjësuan me ana të djegies. Edhe në këtë rast policia po punon për identifikimin e autorëve të kësaj vepre penale. Autoritetet policore zyrtarisht pohojnë se nuk gjejnë as autorët që kultivojnë bimët narkotike, por as pronarët e tokave ku mbillet bima e ndaluar. Rasti më flagrant ishte në Lazarat, ku ndonëse, në mes të ditës dalin banorët e zonës për të vaditur bimët e Cannabis Sattiva, forcat e rendit nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë.
Studentja tenton të mbytet në det, mbeti në provime
VLORË – Një vajzë e re, studente në Universitetin e Vlorës ka tentuar sot t’i japë fund jetës duke u përpjekur të mbytet në det. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se shtetasja A. H., 22 vjeçe, lindur e banuese në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës, rreth orës 12.30, të ditës së premte është gjendur në det dhe ka avancuar me not drejt thellësisë, pak orë pasi mësoi se kishte humbur në provimet e fakultetit. Burimet e rojës kufitare bënë të ditur se punonjës të saj pikasën largimin e 22-vjeçares në drejtim të avancuar të thellësisë së detit dhe u vërsulën të ndalin një përpjekje të dyshuar vetë-mbytje apo mbytjeje aksidentale. “Ne i ofruam vajzës një xhup shpëtimi kur iu afruam në thellësi të detit, por ajo refuzoi ta marrë”, - pohuan kufitarët që morën pjesë në aksionin për shpëtimin e 22-vjeçares. “Në këto momente, u detyruam të këmbëngulim dhe e morëm vajzën duke e ngjitur në motovedetën kufitare ku vazhdimisht ajo qante me dënesë”. Menjëherë pas daljes në stere, për shkak se gjendja e vajzës paraqitej jo e mirë, ajo është dërguar me makinat e policisë kufitare, në spitalin vendor, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vajza e re është marrë në pyetje nga forcat policore të komisariatit të Vlorës. Ajo ka treguar se ishte studente në vitin e katërt të degës së Ekonomi-Biznesit. Ajo ka treguar se kishte ngelur në tre provime lëndësh, ku një prej tyre e kishte humbur dhe për këtë arsye ndihej në faj pasi nuk kishte arritur të diplomohej. Ky është një rast i përsëritur i incidenteve të tilla në Vlorë. Rreth shtatë muaj më parë, po në këtë qytet, një tjetër vajzë studente u përpoq t’i japë fund jetës duke u vetë-mbytur. Përpjekja e vajzës rezultoi e suksesshme sepse ajo u gjet e vdekur në dhomën e konviktit, nga shoqet e saj.
6 Shtator 2008