E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, LGZI: Lodrat e fëmijëve me kimikate të rrezikshme

TIRANË- Lëvizja e Gruas për Zhvillim Integral lëshon alarmin se lodrat e fëmijëve që tregtohen në vendin tonë përmbajnë kimikate jashtë normës së lejuar.
Përmes një deklarate për shtyp ata sqarojnë se nga analizat e bëra rezultoi se lodrat ishin të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.

“Rezultoi se analiza e lodrave përmbante lëndë të rrezikshme kimikate si Polyvinyl chloride (PVC), Chloride (Cl), Dioxide Titanium (Ti), Kalcium (Ca), Zinc (Zn) si dhe ngjyrues të rrezikshëm, të cilat shkaktojnë probleme të rëndësishme në shëndetin e fëmijëve. Tek trupat e kukullave atje ku u bënë matjet e para PVC (Polyvinyl chloride) u paraqit me nivele të larta ku elementi kryesor përbërës ishte: Chloride (Cl),Kalcium (Ca), Zinc (Zn). Në pjesën e këpucës të kukullës paraqitej një lloj tjetër plastike, ndërsa në trup rezultoi me përmbajtje të lartë Chloride (Cl), këpucët rezultuan se kishin si mbushës Dioxid Titanium (Ti O2) dhe Zinc (Zn)”, thuhet në raport.

LGZI kërkon marrjen e masave të menjëhershme nga autoritetet shtetërore për mbrotjen e shëndetit të fëmijëve duke ndaluar tregtimin e produkteve të tilla që mbushin dyqanet e vendit.

“Lodrat e testuara me rezultat pozitiv për PVC nuk ishin të etiketuara si të tilla në produkt ose paketim, duke e bërë pothuajse të pamundur për prindërit që të zgjidhnin PVC-free produkte për fëmijët e tyre. Lodrat nuk përmbanin asnjë etiketë dhe asnjë të dhënë as në gjuhën shqipe dhe në as një gjuhë tjetër lidhur me elementët që përmbanin lodrën”, citohet në raport.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›