Alarmi, Majkëll Xhekson pranë vdekjes
Ylli i muzikës pop mësohet se vuan nga një sëmundje e rrallë në mushkëri dhe i nevojitet menjëherë një transplant. Lajmi u bë i ditur nga autori i biografisë së tij Ian Halperin. Sipas këtij, këngëtari ndihet në gjendje të keqe shëndetësore. Halperin u shpreh se këngëtari flet me vështirësi, ka humbur 95 për qind të shikimit për shkak të veshit të majtë në të cilin ka pasur që më herët probleme. Disa muaj më parë, Xhekson u fotografua teksa shëtiste me fëmijët e tij ulur në një karrige me rrota, ndërsa tani mendohet se gjendja e tij është përkeqësuar dhe është në rrezik serioz për jetën. Ish-gazetari i Rolling Stones, Halperin, tha se Xhekson vuan nga një sëmundje gjenetikisht e trashëgueshme, e cila shoqërohet me hemorragji të mëdha. Është e çuditshme të mendosh se këngëtari më i njohur i të gjitha kohërave, ai që na habiste me lëvizjet plot jetë, është katandisur si mos më keq. Kjo është një nga historitë më të dhimbshme që po përjeton një personazh kaq i famshëm dhe i dashur për të gjithë, edhe pse kurrë nuk ka qenë përdorues i akoolit apo drogës. Megjithatë, në këtë rast kemi të bëjmë me një trup pothuajse të shkatërruar që në moshën 50-vjeçare. Por tani duket se Xhekson është bërë viktimë e një sëmundjeje të rrezikshme për të cilën nuk është fajtor. Fansat që prisnin me padurim albumin e ri tani do të kenë një objektiv të ri, që Majkëll të mbetet gjallë nga kjo sëmundje e tmerrshme.
23 Dhjetor 2008