Kosova dhe Maqedonia së shpejti marrëdhënie diplomatike
Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është shumë i mirë, ndërsa marrëdhëniet së shpejti do të ngrihen në nivel diplomatik. Kështu ka thënë dje kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit me Imer Selmanin, kryetar i Partisë së sapoformuar në Maqedoni, Demokracia e Re. Thaçi e quajti vitin 2008 vit të perspektivës së re për rajonin. Ai tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga vendet më të fuqishme të botës, por edhe nga vendet fqinje, ka hapur një mundësi të re për bashkëpunim rajonal, që është kusht për perspektivën europiane të shteteve.
“Ne presim që këto ditë të përmbyllet përfundimisht edhe çështja e demarkacionit e pastaj do të procedojmë me aspektet protokollare për marrëdhëniet diplomatike. Çdo gjë është duke shkuar mirë dhe ka vullnet dhe bashkëpunim shumë të mirë për këtë çështje por ka edhe përgjegjësi shtetërore të dyanshme“, - tha Thaçi.
MEKSIKO SITI
Gjenden 9 persona me koka të prera
Në Meksiko 9 persona u gjetën me kokë të prerë përgjatë një rruge kryesore, në afërsi të qytetit Çilpaçingo, rreth një orë larg në veri të Akapulkos. Kokat e tyre të prera ishin futur në një qese plastike pranë një qendre tregtare. Çilipaçingo është një bazë ushtarake. Sekretari lokal për sigurinë e publikut bëri të ditur se disa nga viktimat ishin ushtarë. Bashkë me kokat e prera ishte lënë edhe një letër ku shkruhej se do të kishte edhe më shumë koka të prera.
RUSI
Irani do të furnizohet me armë kundërajrore
Agjencia shtetërore ruse për eksportin e armëve tha dje se do ta furnizojë Iranin me armë kundërajrore “mbrojtëse”. Por, Rosoboroneksport nuk tha nëse këtu përfshihen raketat e sofistikuara me rreze të gjatë veprimi S-300. Para dy ditësh, media iraniane citoi Email Kosarin, zv/kryetar i Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme dhe i Çështjeve të Sigurisë, i cili tha se sistemi S-300 është në proces e sipër për t’u dërguar në Iran, veprim që e kanë kundërshtuar Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
GJEORGJI
Marrëveshje strategjike me SHBA-të
Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, tha se vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara po negociojnë një marrëveshje strategjike, që do t’i çojë marrëdhëniet dypalëshe në një “shkallë krejtësisht të re”. Televizioni i Gjeorgjisë raportoi se marrëveshja pritet të nënshkruhet nga fundi i vitit. Marrëveshja strategjike, që është i ngjashme me atë që Uashingtoni nënshkroi me Ukrainën javën e kaluar, parasheh rritje të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si dhe përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
23 Dhjetor 2008