Mësuesit dhe pedagogët, miratohet masteri për emërimet në arsim
Jonida Tashi
Mësuesit dhe pedagogët duhet të zotërojnë kualifikime shtesë, përveç diplomës së një fakulteti, për t’u punësuar në arsim. Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Arsimin e Lartë (SKALA), 2008-2013, ka përcaktuar kritere të reja për emërimet në arsim. Sipas asaj që është miratuar tashmë në këtë strategji, njohuritë në drejtime specifike do të jenë shumë të rëndësishme për t’u emëruar si punonjës arsimorë dhe akademikë. Strategjia Kombëtare për Arsimin e Lartë parashikon si një nga pikat kyçe për zhvillimin e arsimit në vend specializimin e mësuesve dhe pedagogëve. Për realizimin e kësaj strategjie do të ngrihet një plan veprimi, i cili do të parashtrojë edhe mënyrat konkrete për zbatim.
Mësuesit
Përgatitja fillestare për mësuesit e shkollave të mesme do të kryhet mbi një model 3+N, ku 3 vitet e para do të jenë cikli i parë mbi një lëndë të veçantë, por me fleksibilitetin modular për të studiuar më shumë se një lëndë. Pjesa ‘+N’ do të jetë në mënyrë të veçantë mbi pedagogjinë e mësimdhënies në shkollat e mesme. Ajo do të jetë e detyrueshme për ata që dëshirojnë të japin mësim në këto shkolla. Pjesa ‘+N’ do të jetë “degë” e veçantë në Fakultetin e Edukimit që do të ngrihet i ri. Vlera e ‘N’ do të jetë 1 ose 2 vjet. Universiteti i Tiranës duket se aktualisht ka kapacitetet më të mëdha për të ofruar pjesën pedagogjike ‘+N’. Universitetet e tjera që dëshirojnë të ngrenë fakultetet e tyre të Edukimit për të zhvilluar pjesën ‘+N’ do të jenë në gjendje ta bëjnë, nëse përmbushin kriteret kombëtare të përcaktuara nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH). Studentët e diplomuar të çdo universiteti, që dëshirojnë të bëhen mësues të shkollave të mesme, mund të aplikojnë për të hyrë në çdo Fakultet Edukimi që ofron ‘+N’. Plani i veprimit do të sugjerojë mënyra për Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Tiranës, që të japë asistencë pedagogjike për universitetet rajonale, të cilat ofrojnë përgatitjen e mësuesve për arsimin bazë 3+0.
Pedagogët
Shumica e personelit të ri akademik, kërkuar nga zgjerimi i sistemit (personelit shtesë), do të përqendrohet në rolin e mësimdhënies, kryesisht në ciklin e parë dhe në programet e ndërmjetme universitare. Për këtë, kërkohet një kualifikim në nivelin Master dhe doktoratura (PhD). Plani i veprimit parashikon zhvillimin e një procesi monitorues, i cili: do të përcaktojë nevojat për personel të ri; do të vlerësojë shkallën në të cilën këto nevoja do të plotësohen nga integrimi i instituteve kërkimore në universitete; do të verifikojë nëse konceptimi i programeve të reja Master, potencialisht të aftë për të furnizuar këtë shtesë personeli akademik, siguron fleksibilitetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur nevojave në momentin që ato shfaqen. Rritja e nivelit të mësimdhënies në universitete nuk është thjesht çështje numrash. Ajo kushtëzohet në radhë të parë prej faktit se janë ende të paktë pedagogët që operojnë me metoda që zhvillojnë te studentët ato shprehi dhe kompetenca që u duhen atyre për të ardhmen. Ndryshimi i stilit dhe metodave të mësimdhënies kërkon një investim madhor në zhvillimin e personelit akademik ekzistues, duke përfshirë, së pari, pedagogët e vjetër. Po ashtu, po kaq i domosdoshëm është edhe trajnimi i personelit të ri. Për më shumë nga personeli ekzistues do të nevojitet një investim më vete, që do të jetë i kushtueshëm, por duke e konsideruar zhvillimin e burimeve njerëzore si një prioritet të lartë, atij do t’i kushtohet një mbështetje e veçantë financiare. Një nga mënyrat e propozuara nga qeveria dhe MASH-i për zhvillimin e shpejtë të burimeve njerëzore është programi i quajtur “Fondi i Ekselencës”, i cili ofron bursa për personelin e ri akademik, që dëshiron të kryejë një pjesë ose të gjitha studimet e doktoratës dhe postdoktoratës në universitet e huaja, të njohura. Ky program mbështet edhe studentët shqiptarë, që kryejnë studimet e nivelit master në një nga 10 universitetet më të njohura të botës.
23 Dhjetor 2008