E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Bankat ta përdorin fitimin për të rritur kapitalin



Në kushtet e një krize financiare ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë u ka bërë thirrje bankave tregtare që fitimin e këtij viti ta përdorin për të rritur kapitalin e bankave që drejtojnë. Kjo masë merret në kuadër të përballimit të krizës financiare ndërkombëtare. BSH-ja thekson se sistemi ynë është i mirëkapitalizuar, megjithatë, në kushtet aktuale, sheh si masë kujdesi rritjen e mëtejshme të vigjilencës financiare. BSH-ja është duke studiuar disa masa të tjera për t’i paraprirë më mirë funksionimit optimal të sistemit bankar në vendin tonë përballë krizës financiare ndërkombëtare. Burime nga institucioni qendror bankar në Shqipëri, bënë të ditur se “Banka e Shqipërisë do të kërkojë nga bankat tregtare që operojnë në vendin tonë, që dividentët (fitimin) e materializuar në vitin 2008 ta përcaktojnë për të rritur kapitalin e bankave që ato drejtojnë.

INSTAT: “Rritet me 103,9 për qind prodhimi në industrinë energjetike”

Prodhimi industrial në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ujit është rritur 103.9 për qind në 3-mujorin e tretë të vitit 2008, krahasuar me 3-mujorin e tretë të vitit 2007, bënë të ditur burime nga Instituti i Statistikave. Ndërkohë, shifra e afarizmit vlerësuar me çmime fikse në sektorin e energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ujë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është rritur me 12.2 për qind, ndërsa në 3-mujorin e tretë të vitit 2008 është rritur me 10.2 për qind krahasuar me 3-mujorin e dytë të këtij viti. Sipas INSTAT-it, pagat në sektorin e energjisë elektrike dhe furnizimit me gaz, avull dhe ujë, në 3-mujorin e tretë të vitit 2008 janë rritur 27.6 për qind. Ndërsa, krahasuar me 3-mujorin e tretë të vitit 2007, numri i të punësuarve është rritur 0.3 për qind.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›