E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolaudimi, kualifikohen dy kompani, jashtë gjermanët

 

Fabiola Çela

Janë hapur dje dy nga ofertat për dhënien me koncesion të kontrollit teknik të makinave. Nga tri kompani, vetëm dy prej tyre sollën në orën 12:00 të mesditës ofertat e tyre në Ministrinë e Transporteve.

 Firmat franceze SAS SAKAR dhea ajo zvicerane SGS dhanë ofertat e tyre, ndërsa firma gjermane “TUV Sud” nuk u paraqit brenda afatit. Por gjatë zhvillimit të procesit, në sallë hyri edhe përfaqësuesi i firmës gjermane “TUV Sud”, i cili kërkoi të hynte në debat lidhur me procedurat e ndjekura. Përfaqësuesit e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave i njoftuan se ai duhet të ishte paraqitur deri në orën 12:00 dhe se çdo pretendim pas këtij afati nuk kishte vlerë. Përjashtimi i firmës gjermane u krye edhe pas insistimit të përfaqësuesit, se oferta e tij ishte paraqitur në ministri më datë 11 dhjetor.
Ofertat
Në rast se do të shpallet fituese kompania franceze, sipas ofertave të dhëna, kush ka makinë do të paguajë 1800 lekë për kolaudimin. Kjo ishte oferta e francezëve, ndërsa ajo e zviceranëve ishte 1998 lekë. Kufiri maksimal i vendosur nga shteti ishte 2000 lekë për çdo shërbim. Vlerësimi për këtë ofertë është 35% e pikëve që të shpallin fitues. Përsa i përket fitimit të shtetit për tarifat, francezët dhanë ofertën e 7 përqindëshit, ndërsa zviceranët dhanë 5 për qind. Kufiri minimal ishte 4 për qind. Përsa i përket zhvillimit të kolaudimit, pra hapjes së pikave të reja dhe rikonstruksionin, kompania zvicerane SGS do vërë në punë qendrën ekzistuese për 5 muaj dhe qendrën e re për 6 muaj. Kompania zvicerane SA SAKAR do të hapë katër qendra të reja për 6 muaj dhe rikonstruksionin e qendrës ekzistuese për dy muaj e gjysmë. Përsa i përket ofertës financiare, zviceranët në zarfin e tyre kishin shifrën e 561 milionë lekëve, ndërsa francezët 398.8 milionë lekë. Një kriter i fortë konkurrimi është edhe afati. Tenderi është për dhënie me koncesion, pra pas një afati i gjithë investimi i kalon shtetit. Kompania franceze ofroi 20 vite për investimin e vet, ndërsa kompania zvicerane merr përsipër përdorimin vetëm për 10 vite.
Përfitimet
Sipas specialistëve të kësaj ministrie, me dhënien me koncesion synon përmirësimin e shërbimit, aq më tepër që në këtë rast bëhet fjalë për rritjen e nivelit të sigurisë rrugore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, pritet që numri i përgjithshëm i automjeteve në vend të rritet gati tri herë nga viti 2005 në vitin 2025, duke arritur në 750 mijë. Kjo tendencë kërkon rritjen e sigurisë teknologjike, si dhe mbrojtje më të lartë të mjedisit nga ndotja. Kolaudimi i makinës është një proces që kryhet një herë në vit, por shpeshherë qytetarëve u duhet të qëndrojnë në radhë për të kryer kontrollin teknik të automjeteve të tyre.

Ofertat e kompanive

Kompania “SGS”

10 vjet me koncesion

561 milionë lekë vlera e investimit

1.998 lekë tarifa për kontroll

Ngritja e një qendre të re, dhe 3 qendrave të lëvizshme

Kompania “Sas Sakar”

20 vjet koncesion

398.884.024 lekë investime

1.800 lekë tarifa e kontrollit

Ngritja e 4 qendrave të reja si dhe 2 qendrave të lëvizshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›