E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozi në Shqipëri, Topalli kërkon lob në senatin francez

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimeve zyrtare me personalitetet franceze u shpreh se, “Franca është një ndër vendet që mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit euroatlantik”. Kryetarja e Kuvendit, shoqëruar nga deputeti socialist Ben Blushi, u prit nga kryetari i kësaj Asambleje, Acoyer. Ai konfirmoi angazhimin për të përshpejtuar procedurën e ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga kjo Asamble. Në takim me kreun e Senatit francez, Gerard Larcher është diskutuar edhe në lidhje me investimet franceze në Shqipëri. Çështja e bashkëpunimit ekonomik ishte një nga temat e diskutuara në takimin mes kryeparlamentares Topalli dhe kreut të senatit francez, i cili ka inkurajuar investimet franceze në Shqipëri, ku aktualisht operojnë disa ndërmarrje të mëdha franceze financiare apo turistike, por ndërsa biznese si Societe General apo Sagem po punojnë të qetë, në Shqipëri pavarësisht krizës financiare ndërkombëtare, Club Med ka ende një çështje të pambyllur në Kakome. “Ne njëkohësisht biseduam për çështje konkrete të aspektit ekonomik. Kemi konstatuar se shkëmbimet ekonomike nuk janë në nivelin e miqësisë dhe mirëbesimit mes dy vendeve, 30 milionë euro nuk janë të mjaftueshme prandaj ne diskutuam për mjetet dhe mundësitë për përmirësimin e situatës. Ne kemi folur sesi mund t’i zhvillojmë këto marrëdhënie ekonomike, me të cilat ra dakord edhe Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve Evropiane”, tha Larcher. Nga ana e saj kryeparlamentarja ka paraqitur lehtësitë që ofron shteti shqiptar për bizneset. “Për të qenë konkret për investime të biznesit francez në Shqipëri, kam shpjeguar lehtësitë që ofron shteti shqiptar për bizneset”, deklaroi Topalli. Kreu i senatit francez shtoi më pas se “Ne ndajmë të njëjtin vullnet për paqen dhe stabilitetin në rajon. Folëm për MSA-në, të cilën e votuam pak ditë më parë si dhe për protokollin e NATO-s”. Sipas tij, “kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe për Samitin e Strasburgut, që përbën një takim shumë të rëndësishëm”. Gjithashtu me kreun e Senatit francez, Larcher, Topalli u shpreh se “së bashku me të do punohet që Sarkozi të vizitojë Shqipërinë”. Kryeparlamentarja ka zhvilluar takime me disa deputetë francez, me qëllim për të konkretizuar vizitën e Sarkozisë në Shqipëri, që do të përbënte vizitën e para të një Presidenti francez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›