Alarmi, bregdeti gdhihet “kënetë”
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Hapësira detare në Radhimë dhe Orikum dje është gdhirë përplot me mbetje urbane. Ekspertët e mjedisit lëshojnë alarmin për rrezikun e ndotjes së florës dhe faunës së kësaj zone. Banorët dhe peshkatarët mbetën të habitur, teksa konstatuan se e gjithë pjesa e bregdetit ishte e ndotur si kurrë më parë. Kjo ndodhi për shkak të prurjeve të lumit Izvor të Dukatit, i cili derdhet në këtë pjesë të bregut. Shishe plastike dhe qelqi të llojeve e përmasave të ndryshme, goma, mbetje organike, materiale drusore, myshqe etj., kishin mbuluar një sipërfaqe prej 20 kilometra katrorë në det. Prurjet shkaktuan një situatë të rëndë në këtë pjesë bregdetare, e cila i ngjante një zonë kënete të ndotur. “Shkak i ndotjes janë mbetjet urbane, që hidhen në shtratin e lumit Izvor dhe në zona të papërshtatshme. Më pas, në raste të motit të keq dhe shirave ato përfundojnë në det”, u shprehën banorë të Radhimës dhe Orikumit. Rexhepi, një nga peshkatarët e zonës, u shpreh se gjendja e krijuar është mjaft e dëmshme për faunën dhe florën, veçanërisht për peshqit. Ai shtoi më tej se kjo situatë ndikon për t’i dhënë një imazh të keq atyre personave, që bëhen vizitorë të këtij bregu, i cili deri më sot është shquar për pastërtinë e tij. “E njëjta gjendje krijohet sa herë që keqësohet moti, por jo në përmasa të tilla. Një fenomen i tillë nuk është parë asnjëherë në këtë zonë. Nuk ka qenë deti aq i ndotur ndonjëherë”, u shprehën banorë që jetojnë afër bregdetit. Sipas tyre, burim i ndotjeve janë mbetjet urbane të qytetit të Orikumit. Gjithashtu, edhe mbetjet e lokaleve përreth zonës Orikum dhe Radhimë, që hidhen në shtratin e lumit Izvor apo në zona të tjera. Ato rrëmbehen nga ujërat e reshjeve dhe përfundojnë në det. Peshkatari shtoi më tej se mbetjet do të përfundojnë në breg të detit, por situata do të normalizohet vetëm pas një jave. Ndërkohë, banorë të tjerë të zonës, thonë se, ndotje e përmasave të tilla në këtë hapësirë detare, nuk është regjistruar prej vitesh. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Niko Dumani, u shpreh se, shkak i kësaj ndotjeje, është keqmenaxhimi i mbetjeve urbane nga ana e njësive të qeverisjes vendore, siç është Bashkia e Orikumit, fshatrat që përfshihen në juridiksionin e saj dhe vetë banorët. “Është një situatë e rëndë, që duhet të parandalohet, për vetë pasojat që ajo krijon në florën dhe faunën e zonës. Njësitë e qeverisjes vendore, duhet të marrin masa për të disiplinuar hedhjen dhe depozitimin e mbetjeve urbane. Është turp për ata, që kanë ndikuar në ndotjen e kësaj zone shumë të bukur”, tha Dumani. Sipas tij, mbeturinat në ditët në vazhdim do të dalin në breg të detit. “Duhet të merren masa nga ana e përfaqësuesve të bashkisë dhe komunave për të grumbulluar dhe larguar ato nga zona, sepse mund të rrëmbehen nga deti dhe të ndotet përsëri”, theksoi më tej Dumani.