E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 5 trafikantëve, kur po shkëmbenin 2 kg heroinë

 

Dashamir Biçaku

Pesë persona u arrestuan pasditen e djeshme rreth orës 15:00, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, pasi u kapën me 2 kile heroinë nga zyra e Antidrogës dhe Njësia e Operacioneve Speciale. Fatmir Mezini, 19 vjeç, Ibrahim Cani 34 vjeç, të dy nga Peqini, Ardit Bakalli, 29 vjeç, nga Elbasani, Denis Çaveli, 20 vjeç dhe një person tjetër i prezantuar me emrin Nikolin Merkaj, ranë në prangat e policisë së Tiranës gjatë aksionit të zhvilluar në rrugën e Elbasanit, pranë një lokali në afërsi të Fakultetit të Gjeologji Minierave. Policia ka bllokuar një sasi prej 2 kilogramë heroinë të pastër gjatë arrestimit të pesë personave, ndërsa narkotiku do të shkëmbehej me paratë pikërisht në momentin kur kanë ndërhyrë agjentët e policisë. Gjatë kontrollit fizik ndaj personave të dyshuar, policia bllokoi drogën, që ishte vendosur në disa qese dhe fshehur në vendin e parë të pasagjerit poshtë sediljes. Të arrestuarit mësohet se kishin më tepër një muaj, që hetoheshin nga oficerët e zyrës së Antidrogës së Tiranës.
Porosia për drogën
Denis Çaveli dhe Nikolin Merkaj kishin porositur sasinë e drogës tek dy peqinasit, Mezini dhe Cani. Këta të fundit bashkëpunonin edhe me Ardit Bakallin nga Elbasani. Nga burime të policisë së kryeqytetit mësohet, se hetuesit kishin zbuluar një linjë të heroinës, që vinte nga Elbasani në Tiranë dhe që më pas shpërndahej në kryeqytet. Pikërisht pas këtyre të dhënave, oficerët e antidrogës kanë referuar procedimin penal në organin e akuzës, ndërsa ka nisur mbajtja nën vëzhgim e të arrestuarve. Sipas burimeve të policisë, një javë më parë agjentët e Njësisë së Operacioneve Speciale dhe Mbikëqyrjes, kanë marrë emrat e objektivave që duhej të vëzhgonin në Tiranë, Elbasan dhe Peqin. Këta të fundit janë fotografuar dhe përgjuar për disa ditë gjatë aktivitetit dhe takimeve të zhvilluara me qëllim shitjen e drogës. Ndërkaq, mesditën e djeshme "objektet", janë rimarrë në vëzhgim, pasi nga të dhënat e siguruara ishte mësuar, se droga do të shkëmbehej me paratë pranë një lokali në rrugën e Elbasanit. Policia ka marrë në vëzhgim vendin, ndërsa një grup tjetër agjentësh ka ndjekur mjetin "Mercedez-Benz" C Class me targa TR 1754 N. Pas ndalimit të tyre, policia ka kryer disa kontrolle banesash, me qëllim për të zbuluar prova dhe bashkëpunëtorë të tjerë të së arrestuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›