Braçe: “Berisha e ka fshirë Beratin nga lista e kulturës”
Për katër vitet e ardhshme, investimet për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës kulturore, trashëgimisë dhe monumenteve të kulturës nëë Berat do të jenë thuajse në nivelin zero, - kështu është shprehur në një konferencë për shtyp, të mbajtur në zonën e tij, deputeti socialist i Beratit, Erion Braçe. Sipas tij, ka një mungesë totale të investimeve të planifikuara në buxhetin e vitit 2009, që në qarkun e Beratit thuajse nuk do të ndihen gjatë katër viteve të ardhshme dhe sidomos ato investime që do të shërbenin për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Beratit, tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Më tej, Braçe u shpreh: “Kryeministri Berisha është një njeri që shkon në drejtim të kundërt me qytetërimin”. Ai shtoi: “Në buxhetin e shtetit për vitin 2009 për qarkun e Beratit, Skrapari dhe Kuçova shuhen nga harta e investimeve publike të taksave të shqiptarëve. Në qytetin e Beratit jepen më shumë lekë për komisariatin e policisë sesa për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerave historike. Pra, jepen tri herë më shumë para për restaurimin e dhomave të paraburgimit sesa për Kalanë e Beratit dhe për itinerarin shumë të rëndësishëm historik, të vlerësuar edhe nga UNESCO, siç është Mangalemi, Kalaja, Gorica. Gjithashtu, jepen katër herë më shumë para për policinë sesa jepen për restaurimin e kalldrëmeve në lagjet muzeale dhe restaurimin e kalldrëmeve të Urës së Goricës, monument kulture unikal në të gjithë Ballkanin”. Sipas deputetit të Beratit, qeveria ka dhënë për Repartin Ushtarak në Poshnje 35 herë më shumë para sesa për spitalin rajonal në nevojë të qytetit të Beratit. Jepen 100 herë më shumë para për Repartin Ushtarak në Poshnje sesa për ndërtimin e shkollave të reja në rrethin e Beratit. Në Repartin Ushtarak të Poshnjes, së bashku me dhomat e paraburgimit të policisë Berat, janë dhënë më shumë para sesa për të gjitha akset rrugore kombëtare. Rruga nga Lushnja deri në Berat, sipas Braçes, është e shkatërruar tërësisht. Po kështu edhe rruga nga Berati në Skrapar, ndërkohë që rrugët e premtuara Kuçovë-Elbasan dhe Skrapar-Përmet nuk do të ndërtohen e bashkë me to as boshti qendror-jugor që Sali Berisha ua ka premtuar disa herë qytetarëve të Beratit. Nga 68.3 miliardë lekë (683 milionë dollarë) që është fondi i investimeve në total për Shqipërinë, Berati merr vetëm 3.3 milionë dollarë investime, kur minimalisht duhet t’i takonin 5.6 miliardë lekë, ndërkohë që Berati nuk figuron në asnjë tabelë të investimeve të huaja.
3 Dhjetor 2008