"Zjarri në magazinë nga shkëndija elektrike"
TIRANE- Një kabinë elektrike që ndodhej në ambientet e brendshme të magazinave të firmës "Henry" në autostradë, mendohet të jetë një nga shkaqet kryesore të rënies së zjarrit mesditën e të hënës. Nga këqyrja e pjesshme e vatrave të zjarrit prej ekspertëve të policisë dhe zjarrfikësve është mësuar se zjarri ka qenë aksidental. Një fakt i tillë sipas burimeve të policisë është argumentuar me ngarkesën dhe sasinë e madhe të materialeve të depozituara në magazinë. Një pjesë e konsiderueshme e mallrave, mësohet se ka qenë mjaft afër me kabinën elektrike, ku mendohet se mund të jenë shkaktuar shkëndija elektrike nga nxehja e kabllove. Shumë prej kabllove kalonin pranë tonelatave me mallra hidro-sanitare të ambalazhuara më së shumti me material kartoni dhe polisteroli që ka marrë flakë menjëherë. Ekspertët pohojnë se ky material ka ndihmuar përhapjen e zjarrit me shpejtësi, duke bërë që ai të kalonte në të gjithë pjesët e magazinës. Më tej, tuba plastikë që ndodheshin në ambientet e fabrikës, janë bashkuar me turmën e mallit që digjej vrullshëm në magazinën me pajisje hidro-sanitare të "Henry"-t në pronësi të Ylli Xhakollarit. Të hënën në mbrëmje specialistët kanë kryer veprime të pjesshme, për shkak se në pjesën më të madhe të vatrave kishte nxehtësi të konsiderueshme dhe ende kishte zona, në të cilat ende dilte tym dhe ndërhyrja ishte e pamundur. Kjo ka bërë që ekspertët dhe specialistët e hetimit të zjarrit të kryejnë këqyrjen në disa faza. Ndërkaq, vetë pronari i magazinave, të firmës "Henry", Ylli Xhakollari, tha se mendonte që zjarri kishte qenë aksidental, ndërsa ende nuk kishte nisur të bënte një bilanc të sasisë së mallit të dëmtuar dhe nuk e dinte vlerën e dëmit. d.b