Alarmi i BSH, kriza ekonomike greke troket në dyert e shqiptarëve
Ervin KOÇI
Ekonomia shqiptare duhet të përgatitet për të përballuar efektet e krizës greke. Problemet e fqinjit tonë jugor, mund transferohen edhe në Shqipëri, ku sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, rënia e ekonomisë greke do të ndjehet në bizneset që operojnë në Shqipëri dhe kryesisht te bankat. “Situata e brishtë e ekonomisë greke po studiohet nga Banka e Shqipërisë. Mendoj se plani tre vjeçar fiskal për një korrektim ambicioz është një ogur i mirë për ekonomitë e euro zonës. Tkurrja fiskale do të ketë pasoja në ekonominë greke, e për rrjedhim ekonomia shqiptare do të ndikohet, veçanërisht në tregtinë e jashtme, në remitanca dhe në bankat greke”-. u shpreh guvernatori i BSH-së. Por për të evituar spekulimet që mund të bëhen me qëllim panikun në sistemin bankar shqiptar, kreu i BSH-së, Fullani, garantoi të gjithë qytetarët se bankat greke që operojnë në vendin tonë janë të sigurta. “Ekonomia shqiptare do të infektohet. Efekti mund të jetë materializimi i këtyre efekteve në tregtinë e jashtme ndoshta dhe në koston e linjave të kredive të bankave greke. Banka e Shqipërisë garanton publikun shqiptar që bankat greke janë entitete shqiptare dhe si të tilla janë të mbikëqyrura nga BSH-ja. Siç kemi përmendur dhe më parë, konfirmojmë se, këto banka garantojnë plotësisht mbarëvajtjen e tyre në sistemin bankar shqiptar, si dhe garantojnë efektivitetin e tyre me kapitalin, likuiditetin dhe njëkohësisht produktet e tyre në tregun bankar shqiptar. Duke dashur të shtoj diçka më tepër për krizën greke, do të thoja që jo çdo e keqe vjen si e keqe, ka dhe të mirën e saj”- theksoi Fullani.
Problemet e brendshme
Përveç efekteve negative të importuara nga fqinjët, ekonomia shqiptare duhet të përballet edhe me problemet e saj. Një prej tyre është ngadalësimi i mëtejshëm i ritmeve të kreditimit të ekonomisë dhe marrja e kredive nga bizneset për likuiditete, çka nënkupton pagesën për punonjësit, sigurimin e lëndës së parë dhe mbijetesën në treg. “Në terma realë kur rritja është vetëm 4 për qind, zgjerimi i kredisë ka ardhur kryesisht në formën e financimit të likuiditetit të bizneseve, ndërkohë që kredia për individë ka vijuar të tkurret në terma vjetorë”,- u shpreh Guvernatori Fullani. Edhe stimuli që BSH-ja u përpoq t’i jepte ekonomisë me uljen e normës së interesit nuk është përcjellë i plotë nga bankat, që vazhdojnë të mbajnë kosto të larta kredie dhe kushte të shtrënguara. Guvernatori u ka bërë thirrje bankave të jenë më aktive në kreditim. “Investimet private vlerësohen të kontraktuara gjatë vitit 2009, të diktuara nga ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të huaj, nga normat e ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe nga niveli i ulët i besimit të bizneseve, si dhe nga kushtet e shtrënguara të kreditimit të ekonomisë. Ne mendojmë se pa cenuar praktikat e mira dhe të kujdesshme të kredidhënies, ekzistojnë njëkohësisht hapësira për një sjellje më përkrahëse nga sistemi bankar për mbështetjen e konsumit dhe të investimeve private në ekonominë tonë”,- tha Fullani.
Niveli i jetesës
Një tjetër problem me të cilin duhet të përballen qytetarët gjatë periudhës në vijim është rritja e kostos së jetesës. Inflacioni arriti në janar në 3.6 për qind duke ju afruar shumë nivelit maksimal të parashikuar nga Banka e Shqipërisë. “Faktorizimi i rritjes së fundmi të energjisë elektrike në inflacionin e muajit shkurt pritet të japë një ndikim prej 0.5 pikë përqindje në rritjen e normës së inflacionit vjetor”,- theksoi Fullani. Duke bërë një përmbledhje të tre mujorit të katërt të 2009-ës Fullani u shpreh se vihet re një ulje e kërkesës. “Kërkesa ka vazhduar të bjerë në tremujorin e fundit të vitit 2009. Vrojtimet tregojnë se kontributi i konsumit në rritjen ekonomike do jetë i ulët edhe në vitin 2010”,- u shpreh Fullani. Pasi ka analizuar ecurinë e deritanishme të ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar në vlerën 5.25 për qind normën bazë të interesit për lekun.
25 Shkurt 2010