Shalsi: “PS-ja, e vendosur për të mbrojtur institucionet e pavarura”
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka reaguar dje për ligjin e SHISH-it, ndërsa ka kërkuar që ky ligj të rishikohet në komisionet parlamentare në prani të deputetëve të PS-së. Ai ka akuzuar kryeministrin Berisha se nëpërmjet këtij ligji ai kërkon të paralizojë institucionet e pavarura. “Nga njëra anë deklaron me fjalë se është i gatshëm të dialogojë me opozitën për interesat madhore të Shqipërisë, nga ana tjetër, me vepra demonstron katërcipërisht se ai nuk mund të kontrollojë instinktet e tij antidemokratike dhe as që ka ndër mend të heqë dorë nga ambiciet e tij antikushtetuese për të gjunjëzuar dhe vënë nën kontroll të gjitha pushtetet dhe institucionet e pavarura. Provuam me fakte se si në një mbledhje të mbyllur dhe tinëzare, kukullat e Komisionit Parlamentar të Ligjeve miratuan projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, që dëshmon edhe njëherë kokëfortësinë e mbrapshtë të Sali Berishës për ta shndërruar ketë shërbim nga një institucion të pavarur në një vegël në duart e tij”, - është shprehur Shalsi. Ai tha se Berisha “ka dhënë prova të qarta dhe të mjaftueshme se nuk niset nga nevojat e interesit të përbashkët dhe publik, ndaj nuk e ka parë dhe nuk e sheh Shërbimin Informativ si një institucion të pavarur në shërbim të interesave vitale kombëtare”. Më tej Shalsi shtoi se “Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë me çdo mjet demokratik institucionet e pavarura ndaj dhe e paralajmërojmë Sali Berishën të heqë dorë nga skenari satanik i uzurpimit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe i rikërkojmë vendosmërisht që ketë ligj të rëndësishëm ta bëj pjesë të një diskutimi të hapur dhe transparent me opozitën, shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, - ka përfunduar deputeti socialist.
25 Shkurt 2010