Kodheli: “Sali Berishës ti dalë frika nga hapja e kutive”
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ka shpjeguar edhe njëherë dje qëndrimin e PS-së në raport me krizën politike në vend. Ajo kërkoi që kryeministrit Berisha t’i dalë frika nga hapja e kutive të votimit. “Partia Socialiste i qëndron besnike kauzës së transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo transparencë mund të arrihet thjesht e vetëm përmes një hetimi të plotë e të hollësishëm të procesit zgjedhor, pjesë e domosdoshme e të cilit duhet të jetë hapja e kutive të votimit dhe shqyrtimi i materialeve zgjedhore që gjenden aty. Hetim pa hapjen e kutive nuk ka e nuk mund të ketë. Për këtë arsye nuk mund të ketë as zgjidhje të krizës, në rast se Partisë Socialiste i mohohet me pa të drejtë, kjo e drejtë elementare kushtetuese. Kjo kërkesë kushtetuese e Partisë Socialiste për të realizuar një të drejtë që ia njeh ligji e Kushtetuta nuk është hedhur poshtë në asnjë rast nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, - është shprehur Kodheli. Sipas saj, ndërkombëtarët në asnjë rast nuk thanë që kutitë nuk duhen hapur. “Përkundrazi, në fjalën e tij, Presidenti i Asamblesë Parlamentare, zoti Cavushoglu, është shprehur se Këshilli i Europës pret progres pozitiv për çështjen e hapjes së kutive. Prandaj, ne sot i bëjmë sërish thirrje Sali Berishës që të mos e zvarrisë e thellojë më tej krizën politike, të mos fshihet më pas vendimeve të paqena të gjykatave, por të lejojë hetim te plotë të zgjedhjeve nga një komision parlamentar me objekt të pakufizuar”, - është shprehur Kodheli.
25 Shkurt 2010