E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata ligjore e funksionimit të komisionit hetimor të PS-së

Socialistët do të paraqesin një draft me kërkesa në seancën e parë

Deputetët e Partisë Socialiste që do të thyejnë bojkotin në seancën e sotme parlamentare do të paraqesin një draft me kërkesa. Ata synojnë që nëpërmjet këtij drafti të bëhet ligjërisht e mundur transparenca e plotë dhe e pakufizuar e procesit zgjedhor. Megjithëse Berisha ka garantuar publikisht se pranon që të ngrihet një komision hetimor parlamentar me shumicën e anëtarëve të PS-së, kjo nuk mund të pranohet nga socialistët pa qenë e shkruar në letër dhe pa u miratuar në Kuvend. Për këtë arsye, në seancën e sotme socialistët do të depozitojnë draftin ku pikë kryesore ka ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe ky komision të drejtohet nga PS-ja, e cila duhet të ketë dhe shumicën e anëtarëve. Ky do të jetë i pari komision hetimor në të cilin opozita bëhet shumicë. Kjo lehtëson vendimmarrjen në favor të kërkesave të opozitës në këtë komision.
Drafti
Përveç kësaj kërkese, PS-ja do të kërkojë që objekti i hetimit të komisionit të jetë pikërisht hetimi i procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, duke kërkuar që maxhoranca të mos e zgjerojë objektin e hetimit duke përfshirë dhe procese të tjera zgjedhore. Kjo, pasi afati i funksionimit të një komisioni hetimor parlamentar është vetëm tre muaj dhe gjatë kësaj periudhe synohet zbardhja e plotë e manipulimeve të bëra gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku PS-ja pretendon se ka humbur disa mandate deputetësh. Gjithashtu do të synohet që të jetë komisioni hetimor ai që do të përcaktojë detajet e objektit të punës së tij. Duke pasur shumicën në këtë komision opozita shumë lehtë mund të votojë pro të gjitha kërkesave të saj. Përsa i përket kërkesës për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave në disa qendra votimi ku mendohet se ka pasur manipulime, PS-ja ka rënë dakord që Parlamenti të dërgojë kërkesë pranë Komisionit të Venecias për të shqyrtuar ligjshmërinë e hapjes ose jo të kutive. Por kërkohet që maxhoranca të pranojë çdo vendim të Komisionit të Venecias. Pra, nëse ky komision vlerëson se është kushtetuese hapja e kutive, atëherë komisioni hetimor do të hapë kutitë e votimit që kërkon PS-ja; në rast të kundërt, PS-ja do të tërhiqet nga kjo kërkesë. Pritet që ky draft i PS-së, që do të depozitohet sot në seancë, të shqyrtohet nga komisionet parlamentare dhe të miratohet në seancën e ardhshme.
Kuadri ligjor
Ngritja dhe funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare parashikohet si në Kushtetutë, ashtu dhe në Rregulloren e Kuvendit. Për më tepër ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003. Kështu, në Nenin 77 të Kushtetutës shkruhet se
“Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t'i njoftohen Prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore”. Ndërsa Gjykata Kushtetuese, në vendimin e vitit 2003, ka parashikuar se “parimet kushtetuese, veçanërisht parimi i ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, i prezumimit të pafajësisë, i paanshmërisë, i respektimit të jetës private të individit, përbëjnë standarde kushtetuese mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare. Çështjet e veçanta që përbëjnë thelbin e objektit të veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, janë ato që hetohen në aspektin e kontrollit e të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje a veprimtarie dhe që nxisin iniciativat për propozime, amendime ose miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”, - shkruhet në këtë vendim.

Neni 77 i Kushtetutës
2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t'i njoftohen Prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.

Rregullorja e Kuvendit
Neni 25
Komisionet hetimore
1. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.
2. Komisionet hetimore të Kuvendit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2003
Interpretimin e nenit 77, pika 2, të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë në këtë mënyrë:
1. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të Parlamentit, të cilat ngrihen për çështje të veçanta, të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit.
2. Ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, kur kërkohet nga një e katërta e deputetëve, është e detyrueshme. Objekti dhe fusha e veprimit të komisioneve hetimore duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cenuar pavarësinë dhe duke mos penguar veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera.
3. Parimet kushtetuese, veçanërisht parimi i ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, i prezumimit të pafajësisë, i paanshmërisë, i respektimit të jetës private të individit, përbëjnë standarde kushtetuese mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare.
4. Çështjet e veçanta që përbëjnë thelbin e objektit të veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, janë ato që hetohen në aspektin e kontrollit e të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje a veprimtarie dhe që nxisin iniciativat për propozime, amendime ose miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe ka fuqi prapavepruese.

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›