Alarmi i KLD-së, 15 gjyqtarë të kërcënuar nga krimi

Në një deklaratë vërtetë shokuese nga numri dy i KLD, i cili ka lajmëruar se 15 gjyqtarë ndihen të rrezikur për jetën pasi kanë kërkuar mbrojtje nga shteti. Madje sipas tij në një vit janë 10 kërkesa nga togat e zeza për t`u marrë në mbrojtje. Këtë deklaratë për shtyp Kreshnik Spahiu e ka bërë një ditë para mbledhjes se Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Në një vit e gjysëm 10 kërkesa për mbrojtje gjyqtarësh të kërcënuar për jetën e tyre janë marrë në shqyrtim nga komisioni i posaçëm, i afrohet mbrojtje mbi 15 gjyqtarëve, raste të cilat janë mbajtur të fshehta”, u shpreh ai. Ndër të tjera zv/kryetari i KLD-së ka vënë theksin se një nga çështjet që do të diskutohet në mbledhjen e rradhës së këtij institucioni do të jetë vrasja e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.
“Organet e hetimit të bëjnë të ditur emrat e autorëve të këtij krimi makabër si dhe t`i vendosin ata përpara drejtëisisë. KLD duhet të shprehë qëndrimin e vet në lidhje me këtë çështje në veçanti, por edhe në përgjithësi”, nënvizoi Spahiu.
Por nuk do të lihen pas as inspektime për dosjet penale të tejzgjatura me pasoja shuarjen e në masave të sigurimit të të pandehurve, ndër të tjera edhe “Dosja Gërdeci”, inspektimi i çështjeve për ndryshim kombësie si edhe inspektimi mbi hyrje-daljet jashtë shtetit të gjyqtarëve i paraqiten për shqyrtim nesër Këshillit në mbledhje plenare.