E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade në Strasburg: Maxhoranca, presion Asamblesë për ndryshimin e draft-rezolutës

Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë dhe njëkohësisht deputete në Partinë Socialiste, Arta Dade, e ndodhur prej tri ditësh në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, deklaroi dje për mediat se Partia Demokratike po ushtron presion në Asamblenë Parlamentare KiE-së për të ndryshuar rezolutën e dy raportuesve, David Willshire dhe Jaako Lakso për Shqipërinë. Pas premtimit të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për të ndryshuar përbërjen e delegacionit, Dade ka deklaruar se Shqipëria ka rifituar kredencialet e saj të plota. Deputetja Dade deklaroi se ditën e sotme AP-ja do të miratojë draft-rezolutën e dy raporterëve të KiE-së. Dade bëri të ditur se grupi ku përfshihen Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj do të takojnë ditën e sotme presidentin e AP të KiE-së. Duke iu referuar debatit të kredencialeve të Shqipërisë, Dade deklaroi se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka nisur një letër ku pranon se i ka marrë opozitës një vend në delegacion. Letra, sipas Dades, do të bëhet publike shumë shpejt dhe do të vihet në dispozicion të opinionit publik.
Deklarata
Duke iu referuar draft-rezolutës, deputetja Dade e ka konsideruar si çështjen më të rëndësishme për ta diskutuar në AP e KiE-së, ndërsa deklaroi se kryetarja Topalli ka premtuar se do të rregullohet delegacioni shqiptar. “Kjo është shumë herë më e rëndësishme se sa makinacionet dhe mashtrimet e zonjës Topalli, e cila nga ana e saj ka dërguar një letër me sharje dhe fyerje për kryetarin e PS-së. Unë e kam njoftuar Asamblenë Parlamentare vetëm për shkeljen e Rregullores edhe të Asamblesë Parlamentare”, - theksoi Dade, ndërsa nënvizoi se të gjithë janë të interesuar të dëgjojnë për situatën dhe për zgjidhjen e krizës. “E rëndësishme është që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ofron një draft për të nisur zgjidhjen e krizës. Është pikërisht kjo gjë që ne po bëjmë edhe këtu përkundrejt asaj që po bëjnë të dërguarit e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit që po ushtrojnë presion ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të ndryshuar draft-raportin në favorin e tyre”, - u shpreh Dade. Përsa i përket qëndrimit të tre kundërshtarëve socialistë, Andis Harasani, Ben Blushi dhe Kastriot Islami, të cilët ndodhen në Bruksel prej tri ditësh për të kërkuar mbështetje ndaj faktorit ndërkombëtar për t’i dhënë fund bojkotit, Dade u shpreh se nuk ka informacion, por megjithatë, sipas saj, secili është i lirë.
Takimet
Deputetët e Partisë Socialiste Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, në ditën e parë të vizitës morën pjesë në mbledhjen e grupit socialist, ku bënë një prezantim të detajuar të krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Kryetari i grupit socialist, Andreas Gross, i cili do të flasë në emër të këtij grupi edhe në seancën plenare ku do të zhvillohet debati për Shqipërinë u shpreh në këtë takim se pa asnjë mëdyshje se qëndrimi i tyre si socialistë europianë është në mbështetje të Partisë Socialiste dhe se do të përdorin të gjithë mekanizmat dhe mundësitë për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës në Shqipëri, duke garantuar një përfaqësim të lartë të grupit socialist në Komitetin e Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit që do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë. Grupi socialist mbështeti kërkesën e Raportit për Shqipërinë për një hetim të plotë të zgjedhjeve në Shqipëri pa kushtëzuar të drejtën e hapjes së kutive. Duke e marrë fjalën në këtë takim, ish-zëvendëskryeministri britanik, John Prescot, theksoi se gjithçka ka ndodhur në Shqipëri me zgjedhjet dhe procedurat gjyqësore postzgjedhore është një kopje e Armenisë, pra nuk ka asnjë dyshim se ka pasur manipulime dhe ndryshim të vullnetit të zgjedhësve. “Ne nuk duhet të lejojmë që kriza në Shqipëri të përshkallëzohet, sikurse ndodhi edhe në Armeni, ku situata degradoi në konflikt dhe humbje jetësh njerëzore”, - tha ai. Deputetët socialiste Dade, Balla dhe Ahmetaj patën një takim të veçantë edhe me raporterin për Shqipërinë Jaako Lakso, me të cilën ndan të njëjtat mendime për raportin e hartuar prej tij dhe z. David Willshire. Gjithashtu deputetët socialistë zhvilluan takime me drejtues dhe përfaqësues të grupeve të tjera politike në Asamble, si me liberalët apo demokratët. Deputetët socialistë shkëmbyen mendime për situatën e krijuar me delegacionin shqiptar në Asamble edhe me ish-ministren e jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis.

Ambasadori shqiptar në Spanjë i paraqet letrat kredenciale Mbretit Huan Karlos I

Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, zoti Kastriot Robo, i paraqiti dje letrat kredenciale Mbretit të Spanjës, Madhërisë së Tij, Huan Karlos I. Pas mbërritjes në Sallën e Ambasadorëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe paraqitjes së forcës nga komandanti i Truprojës së Nderit, ceremonia zyrtare e zhvilluar në Pallatin Mbretëror të Madridit filloi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Ambasadori Robo u prit në një audiencë të veçantë nga Mbreti Huan Karlos, i cili, pas përshëndetjeve të rastit, shprehu vlerësimin e tij për progresin e arritur nga vendi ynë dhe u interesua për zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ai vlerësoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur me politikën e saj rajonale. Duke iu referuar progresit të realizuar së fundi në marrëdhëniet shqiptaro-spanjolle në shumë fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në atë të kulturës, ai shprehu dëshirën dhe gatishmërinë që kompani spanjolle si Iberdrola, CAC, Indra etj., të jenë prezente në ekonominë shqiptare. Gjithashtu Madhëria e Tij theksoi mundësive mjaft të mëdha të bashkëpunimit në të ardhmen në fushën e turizmit. Ambasadori Robo u ndal në mënyrë të veçantë tek mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, sidomos në hapat konkretë që presidenca spanjolle e BE –së pritet të ndërmarrë në raport me Shqipërinë dhe rajonin. Në përfundim, Madhëria e Tij, Mbreti Huan Karlos I, konfirmoi dëshirën për realizimin e një vizite në Shqipëri.

28 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›