Ushqimet false, kapet me 23 mijë etiketa autori
Kujtim Xhafa u arrestua nga policia. Hetim edhe për punonjësit e Tatimeve
TIRANË- Antikrimi ekonomiko-financiar çon në qeli falsifikuesin e produkteve ushqimore. Kujtim Xhafa është vënë në pranga ditën e djeshme, ndërsa dy djemtë e tij Fatbardh dhe Algert Xhafa do të ndiqen në gjendje të lirë, pasi akuzohen për veprat penale të "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve" si dhe "prodhimit të kundraligjshëm të artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë". Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se Xhafa u kap ditën e djeshme, teksa po transportonte me furgonin me targë TR 6118 J dhjetëkoli me nga 12 vazo me mjaltë dhe 15 kolime nga 12 vazo me ullinj, ku të gjitha etiketat ishintë falsifikuara. Pas një kontrolli të imtësishëm, të ushtruar në banesën e tij në Vaqarr u sekuestruan pajisje primitive, të cilat shërbenin për përpunimin, paketimin dhe ambalazhimin e vazove me ullinj dhe mjaltë, me salcë domate si dhe1 me kastravecë. Gjithashtu, të arrestuarit iu bllokuan në cilësinë e provës materiale 18 mijë copë etiketa të falsifikuara, me mbishkrimin prodhim ulliri, 5 mijë copë etiketa me mbishkrimin prodhim mjalti, një vulë e falsifikuar për stampimin e datave të prodhimit dhe skadimit si dhe blloqe faturash, të cilat shërbenin për shoqërimin e mallit. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit bënë të ditur se seksioni Kundër Korrupsionit kreu të gjitha veprimet hetimore dhe proceduariale, ndërkohë vazhdon puna hetimore mbi punonjësit e tatimeve për "shpërdorim detyre", pasi dyshohet se ka prej tyre qe janë implikuar në këtë veprimtari.