E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet vëllai i Dritan Dajtit

Patrulla e Përgjithshme parandalon një vrasje të mundshme, pas një sherri banal. 33-vjeçari Dajti, në gjendje të dehur
Sokol Dajti u prangos me pistoletë në dorë, duke tentuar të vrasë një 18-vjeçar në një lokal
TIRANË- Policia arreston vëllanë e Dritan Dajtit me pistoletë në dorë, teksa po tentonte të vriste një adoleshent.Ngjarja ndodhi dy netë më parë, në ambientet e një lokali në rrugën "Haxhi Hysen Dalliu" në Tiranë, kur Sokol Dajti, 33-vjeç, akuzohet se ka tentuar të vrasë 18-vjeçarin Olsi Hoxha. Punonjësit e patrullës së përgjithshme, rastësisht gjendeshin në atë zonë në momentin që po zhvillohej sherri, duke parandaluar një vrasje të mundshme. Policia ka kryer arrestimin e menjëhershëm të Dajtit, ndërsa në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar pistoletën, të cilën ai e mbante pa leje. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se mes 33-vjeçarit Dajti dhe adoleshentit Hoxha ka nisur një sherr për motive të dobëta. Të njëjtat burime thanë se Sokol Dajti, vëllai i personit të shumëkërkuar nga drejtësia, Dritan Dajti, në momentin që tentoi të vriste 18-vjeçarin, ndodhej nën efektin e alkoolit.
Tentativa e vrasjes
Prej vitesh, i akuzuari për vepra të rënda penale, Dritan Dajti, ka ditur mirë t'iu shpëtojë prangave të policisë, ndërkohë që vëllai i tij është arrestuar me pistoletë në dorë, teksa po tentonte të vriste një të ri. Ngjarja e cila ka për protagonist Sokol Dajtin ndodhi dy netë më parë në një lokal në kryeqytet. Dajti ndodhej në lokal bashkë me Olsi Hoxhën dhe disa persona të tjerë. Burime nga policia thanë se kanë mjaftuar disa konfrontime në bisedë e sipër mes tyre, që të detyrojë Dajtin të nxjerrë pistoletën. Policia nuk bën të ditur motivin e këtij sherri, duke u shprehur se bëhet fjalë për një debat për motive të dobëta, por që për pak rrezikoi jetën e një 18-vjeçari. I fyer nga adoleshenti dhe i stimuluar nga dozat e alkoolit që kishte konsumuar së tepërmi, Sokol Dajti i ka drejtuar pistoletën Hoxhës, por fatmirësisht është ndaluar në kohë nga punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të policisë.
Arrestimi
Patrulla e Përgjithshme ka qenë me shërbim në atë zonë, kur ka konstatuar dhe sherrin. Uniformat blu ndërhynë menjëherë për të parandaluar vrasjen, duke i rrëmbyer Dajtit pistoletën nga dora ndërsa i kanë mbërthyer prangat. "Sokol Dajti u kap në kushtet e flagrancës, pasi po tentonte të vriste me pistoletë 18-vjeçarin Olsi Hoxha", –pohoi dje zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Mësohet se Hoxha nuk ka bërë rezistencë, i shtangur nga pistoleta që i rrezikonte jetën. Hoxha është marrë në pyetje nga policia e më pas është lënë i lirë, ndërsa ndaj Sokol Dajtit u mor masa e arrestit pasi akuzohet se ka konsumuar veprat penale të 'vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë" dhe " mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve". Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua pistoleta tip-TT dhe një gëzhojë, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën 80 copë fishekë dhe 4 shashka. Ndërkohë, policia nisi dhe hetimet për të zbardhur me saktësi shkaqet e kësaj ngjarjeje, e cila për pak i ka shpëtuar gjakderdhjes. Burime konfidenciale nga policia thanë se Sokol Dajti ndodhej në gjendje të dehur, kur ka tentuar të vrasë 18-vjeçarin. Ndërsa mendohet se 33-vjeçari mund ta ketë përdorur armën për ta kërcënuar adoleshentin dhe jo për ta vrarë, por megjithatë akuza e ngritur ndaj tij është ajo e vrasjes së nuk përjashtohet dhe një vrasje e mundshme e parandaluar në momentin e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›