ARRESTIMI Hap Exchange-in, por kapet me para në duar
TIRANË- Një 26-vjeçar përfundon në pranga, teksa po tentonte të vidhte një dyqan të këmbimit valutor. Agim Ahmetaj, i dënuar më parë për "vjedhje me armë" është kapur paraditen e djeshme në rrugën "Lord Bajron" në Laprakë, duke vjedhur pikën Exchange "Ester", në pronësi të Ramazan Qamo. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, ndërhyrja e menjëhershme e forcave të policisë së komisariatit nr.3 dhe i specialistë të Seksionit të Vjedhjeve ka bërë që i riu të arrestohet para se të largohej nga pika e këmbimit valutor. Në momentin e kapjes në flagrancë, Agim Ahmetajt iu gjet dhe sekuestrua një kapuç, një pult i derës së Exchange, një palë doreza të zeza si dhe shuma e parave prej 300 dollarësh dhe 35 000 lekësh, të cilat sapo kishte mundur t'i merrte. Pas arrestimit, policia po heton nëse pas kësaj ngjarjeje fshihet edhe ndonjë bashkëpunëtor i mundshëm. K.K