E Shtunë, 31 Tetor 2026

Televizioni A1, dita e 27-të pa energji

Nuk realizohet takimi mes drejtuesve të "Spektër" sh.a. dhe zyrtarëve të KESH-it
Edhe dje energjia nuk u rikthye në Televizionin A1, në ambientet e ish-Kinostudios. Ashtu siç ishte planifikuar dje pritej një takim mes drejtuesve të "Spektër" sh.a. dhe zyrtarëve të KESH-it, por këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm për takimin e premtuar. Ishte shpresuar edhe për një ndërhyrje të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), që do të zgjidhte konfliktin e krijuar nga KESH-i, siç ndodhi në nëntor 2007, kur për tre javë u ndërpre energjia te pallati, ku ndodhet gazeta "Shekulli" në ish-bllok.
Ndërkohë përfaqësuesit e KESH, duke zbatuar urdhrat politikë, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap para për të zgjidhur problemin e furnizimit me energji të këtij televizioni. Shkëputja e energjisë në Televizionin A1 u bë në 13 dhjetor 2007, pas veprimit antiligjor të drejtuesve të KESH-it, që kërkonin pagimin e faturës aforfe të vendosur në mënyrë abuzive nga faturistët. TVA1 i shleu disa detyrime të papërfillshme një ditë pas ndërprerjes së energjisë, por jo shifrën aforfe, për të cilën ka ngritur një padi një gjykatë ndaj KESH-it. Por KESH-i nuk iu përgjigj këtij veprimi me rilidhjen e energjisë, meqë Televizioni A1 nuk ka pranuar të paguajë vetëm shumat e vëna në mënyrë të qëllimshme në kurriz të tij, nga nëpunësit e KESH-it, që patjetër janë urdhëruar për këto veprime kriminale, në dëm të një biznesi dhe një organi të medias vizive. Drejtuesit e "Spektër" sh.a., përveç ngritjes së padisë gjyqësore ndaj KESH-it, kanë sensibilizuar faktorin politik dhe Shoqatat për Mbrojtjen e Medias, brenda dhe jashtë vendit, për rastin flagrant. Ndëshkimin politik të Televizionit A1 e denoncoi në fund të dhjetorit 2007 edhe PS-ja, e cila e ka komentuar si përpjekje të qeverisë dhe mekanizmave të saj, për të goditur fjalën e lirë dhe gjobitur në mënyrë abuzive sipërmarrjet private. I vetmi që nuk ka reaguar ka qenë KESH-i, duke treguar se ka marrë urdhra politikë për të lënë pa energji televizionin, i cili për këtë rast kërkon edhe dëmshpërblimin 3 mijë euro në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›