Klosi: “Hetimi i zgjedhjeve, bojkoti, protestat dhe mandati nuk do të ndërpriten”
Partia Socialiste i kujton kryeministrit Sali Berisha se nëse nuk do t’i hapë rrugë hetimit të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit, bojkoti dhe protestat popullore nuk do ndërpriten për asnjë çast, ashtu sikurse nuk do të ndërpritet edhe mandati i deputetëve të saj. Deputeti Blendi Klosi u shpreh dje se në këto 7 muaj vendi është i përmbytur në një krizë të pashembullt politike, institucionale, demokratike dhe mungese të shtetit ligjor. “Sot (dje), data 28 janar, plot 7 muaj nga zgjedhjet e 28 qershorit, kohë gjatë së cilës maxhoranca e ka shpenzuar me bilanc zero për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë të vazhdueshme për transparencë të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve”, - tha Klosi.
Sipas tij, maxhoranca ka krijuar kriza të ngjizura e të ushqyera nga vullneti djallëzor i saj për të fshehur me çdo kusht manipulimin e vullnetit të popullit për të marrë peng opozitën, për të zaptuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe për të vjedhur gjithçka ka mbetur pasuri publike në këtë vend. Deputeti Klosi theksoi se për shkak të krizave të shkaktuara nga kryeministri Berisha, reformat thelbësore kanë mbetur në vend, ashtu siç është bllokuar edhe procesi i integrimit europian dhe i liberalizimit të vizave për të njëjtin shkak. “U kujtojmë Sali Berishës dhe maxhorancës se në krye të 7 muajve po shënon precedentin më të shëmtuar, si i vetmi vend ku opozita kërkon transparencë për zgjedhjet dhe qeveria fsheh qëllimisht të vërtetën. I kujtojmë Sali Berishës se ka ende mbi kurriz tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vdekur e qindra të plagosur, kur ende në xhepin e tij po strehon ministrin e atëhershëm e të sotëm, duke ia fshehur Drejtësisë pas imuniteti parlamentar”, - u shpreh Klosi. Sipas tij, kreu i Ekzekutivit, në fund të mandatit të parë dhe në fillim të këtij mandati të vjedhur, e ka katandisur Shqipërinë në ‘Republikën e Korrupsionit Shtetëror’, prej së cilës përfitojnë vetëm familjarët e oborrtarët e kryeministrit. “Ka ende mbi kurriz korrupsionin e kombit me rrugën Durrës-Kukës dhe shembjen e tunelit të Thirrës, ku u vodhën mbi 300 milionë euro e mbi 300 milionë të tjera që duhen për të riparuar dëmet. Ka të freskët përmbytjen korruptive të Shkodrës e Lezhës, ku babëzia për të fituar para zhyti në ujë mijëra hektarë tokë e pasuri, e së bashku me to, edhe fytyrën dhe moralin e kësaj qeverie”, - u shpreh deputeti Klosi.
29 Janar 2010