Veliaj: G99-a i kërkon në mënyrë ligjore KQZ-së kopjet e fletëve të votimit
Ndryshe nga Partia Socialiste, G99-a po kërkon një tjetër formë hetimi për të bërë transparente zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit”, përfaqësues të G99-s dhe avokatë të kësaj force politike u janë drejtuar dje në mesditë zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kanë kërkuar që t’u vihen në dispozicion të gjitha fotokopjet e fletëve të votimit që u hodhën në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Partia G99 argumenton se fletët e votimit janë dokumente të paklasifikuara si sekret që përmbajnë informacion dhe, si të tilla, kushdo në këtë vend ka të drejtë të njihet me këtë informacion, ashtu siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë dhe të gjitha ligjet apo aktet e tjera ligjore e nënligjore për të drejtën e informimit.
Në ndryshim të qëndrimit të G99-s, kreu i opozitës, Edi Rama, ka rikonfirmuar dy ditë më parë se nëse nuk do të hapen kutitë e votimit për të bërë të mundur transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, bojkoti dhe protestat do të vazhdojnë. Në veçanti Rama ka theksuar se mandati i deputetëve nuk do të digjet.
Kërkesa
Siç bëhet e ditur, Partia G99 sqaron se nëse kërkesa e saj do të pranohet nga KQZ-ja, atëherë hapja e kutive që Rama këmbëngul, efektivisht është e panevojshme, sepse fotokopjet e të gjitha fletëve të votimit që po kërkon G99-a janë mënyra më e mirë për të verifikuar dyshimet që opozita ka për vjedhje mandatesh. “Ky është një shembull jo i panjohur, pasi ka ndodhur edhe në Florida, ku pati një angazhim për rinumërim apo qoftë edhe për kërkime shkencore”, - u shpreh kreu i G99-s, Erion Veliaj për mediat. Nga hapja e kutive në Florida u ndryshuan edhe disa rregulla të mënyrës së votimit, gjë që G99-a e synon edhe për Shqipërinë. Ndërkohë, burime nga KQZ-ja pohojnë se në këto momente fletët duhet të ishin asgjësuar. Në fakt, kjo dispozitë e Kodit Zgjedhor parashikon se në Arkivin e Shtetit ruhen vetëm procesverbalet dhe tabelat.
Ligji
Në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit”, çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore, pa qenë i detyruar të
shpjegojë motivet. Autoriteti publik është i detyruar të japë çdo informacion në
lidhje me një dokument zyrtar, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe, kur është sekret shtetëror. Autoriteti publik plotëson kërkesën brenda 40 ditëve nga depozitimi i saj, me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj parashikohet
ndryshe. Autoriteti publik vendos për mospranimin e plotë ose të pjesshëm të kërkesës brenda 15 ditëve nga depozitimi i saj. Në rastin e mospranimit të kërkesës, përgjigjja negative, e plotë ose e pjesshme, jepet e arsyetuar, me shkrim, nga autoriteti publik. Kur autoriteti publik e ka të pamundur plotësimin e kërkesës brenda afatit të parashikuar në Nenin 11, për shkak të veçantisë së kërkesës ose të nevojës për t'u këshilluar me një palë të tretë, atëherë ai njofton me shkrim palën e interesuar jo më vonë se 7 ditë nga mbarimi i afatit të mëparshëm, për pamundësinë e realizimit të pjesshëm ose të plotë të kërkesës për informim, si dhe arsyet apo shkaqet që e kanë sjellë atë.
29 Janar 2010