Alarmi i rremë i A/H1N1, vaksinat në frigorifer
Rreth 25 mijë doza të vaksinës kundër virusit A/H1N1, që u siguruan nga Ministria e Shëndetësisë në kulmin e panikut për epideminë, vazhdojnë të qëndrojnë në kushte frigoriferike.
Ngurrimi i njerëzve dhe zbehja e alarmit për gripin bëri që të përdorej vetëm 5 % e sasisë, duke u refuzuar jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë por edhe nga vetë bluzat e bardha. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vetëm nëse i skadon afati ajo mund të asgjësohet. “Procesi i vaksinimit ende vazhdon. Orientimi i OBSH-së është që vaksina të përdoret. Ne kemi dy lote, njëri skadon në fund të këtij vitit dhe një tjetër që skadon vitin e ardhshëm”, u shpreh drejtori i Planifikimit dhe Politikave në Ministrisë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas rekomandimeve të OBSH-së vaksina kundër AH1N1 mund të futet në kalendarin e vaksinimit njëlloj si vaksina kundër gripit të zakonshëm. Pipero sqaron se ndryshe nga vendet fqinje për Shqipërinë u sigurua një sasi racionale e vaksinës dhe fondi i përdorur për blerjen e saj, afro 250 mije dollarë u ofrua nga Banka Botërore për gripin e shpendëve.
Kanceri në qafën e mitrës, i dyti për nga numri i vdekjeve në Shqipëri
Kanceri i qafës së mitrës është renditur i dyti pas atij të gjirit për nga numri i lartë i vdekjeve që shkakton. Sipas mjekëve duhen vlerësuar dy momente: së pari, janë klasifikuar disa faktorë që mund të jenë prezent, ose mund të jenë favorizues, ose mund të jenë determinant në zhvillimin e sëmundjeve kanceroze në qafën e mitrës, se dyti; kanceri i qafës së mitrës zhvillohet nëpërmjet një faze preinvazive (paraagresive). Duke diskutuar momentin e parë të këtij problemi kaq të prekshëm dhe të ndjeshëm në aspektin social siç është kanceri i qafës së mitrës, studimet epidemiologjike kanë evidentuar faktorë të cilët mund të quhen riskante. Ky emërtim vjen se këto faktorë mund të jënë shkak apo favorizues i zhvillimit të sëmundjeve kanceroze ose ato mund të jenë thjeshtë prezentë kur këto sëmundje janë gjendur të shfaqura. Kështu si faktorë risku për mundësinë e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës janë vlerësuar; mosha e re e kontaktit të parë seksual; partnerët e pasigurt seksual; grupet me nivel të ulët social-ekonomik. Në realitetin e deformimeve qelizore të qafës së mitrës gjithashtu studimet kanë treguar edhe prezencë të HPV (human papiloma virus). Në mjaft studime të tjera shpeshtësia e sëmundjeve preinvazive ka qenë e rritur të gratë me HIV-sieropozitive. Po kështu kjo shpeshtësi ka qenë e rritur dhe të gratë duhan pirëse. Për momentin e dytë është shumë i rëndësishëm kuptimi dhe vlerësimi nga ana e gruas që kanceri i qafës së mitrës përpara se të shfaqë agresivitetin e tij, paraqitet me një fazë paraagresive. Kjo do të thotë se përpara shfaqjes së agresivitetit të kancerit, ekziston një periudhë transformimi. Nëse kjo periudhë zbulohet në kohë sa më të herëshme, atëherë rriten mundësitë për shërim nga sëmundja. Për t’ja arritur kësaj kërkohet në radhë të parë që gruaja të kuptojë dhe të vlerësojë që në mënyrë periodike të kryejë analizën citologjike cervikale. Më thjeshtë dhe qartë duhet të kryejë atë analize që quhet Pap–test. E thënë në kuptimin e tërheqjes se vëmendjes, shëndeti dhe jetëgjatësia e gruas varet edhe nga je analize e thjeshte qelizore.
12 Mars 2010