E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mujota: “Incidenti me KFOR-in nuk dëmton imazhin e FSK-së”



Incidenti i fundit me KFOR-in nuk do të dëmtojë imazhin pozitiv të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kështu ka deklaruar gjatë një intervistë për BBC-në, ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, pasi sipas tij nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje e mëhershme me KFOR-in dhe se “pajtimi” i fundit, nuk shënon një marrëveshje të re për riformulimin e aktiviteteve. Mujota tha se pajtueshmëria me KFOR-in, për shkrirjen e marrëdhënieve, hap një mundësi të re për shmangien e keqkuptimeve dhe të interpretimeve të ndryshme për raste të caktuara, siç ishte më 5 Mars. Ai tha se, me rastin e fundjavës së kaluar, nuk është dëmtuar imazhi FSK-së dhe as edhe marrëdhënia e saj me forcën paqeruajtëse në vend, por vlerësoi se ka pasur një nevojë për sqarime shtesë dhe bashkërendim të veprimeve mes institucioneve të Kosovës dhe komandës së KFOR-it.
“Imazhi i FSK-së është ai që ishte edhe para këtij vendimi dhe do të vazhdojë të jetë edhe pas vendimit për rikthimin e aktiviteteve të rregullta. Në fakt ka pasur nevojë të ketë një sqarim të përbashkët dhe bashkërendim të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të komandës së KFOR-it. Dhe mendoj se çdo gjë do të rrjedhë sipas planeve dhe programeve që kemi paraparë për vitin 2010 dhe përkrahja dhe bashkëpunimi me NATO-n dhe KFOR-in është i shkëlqyeshëm”. Ministri Mujota tha se FSK-ja pret që të arrijë kapacitet e plota operacionale deri në vitin 2012, kur sipas tij do ajo do të marrë përgjegjësi shtesë. “FSK-ja është forcë të cilës ia përcakton mandatin Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Kosovës. Ne jemi të përqendruar që të arrijmë kapacitetet e plota operacionale gjatë vitit 2012 dhe më pas do të ketë, sigurisht, vendime të tjera të niveleve politike për marrjen e përgjegjësive shtesë, të cilat është normale t’i marrë FSK-ja pas arritjes së kapaciteteve të plota. Por tani jemi të përqendruar në këtë angazhim dhe besoj se jemi në rrugën e duhur për të arritur kapacitetet brenda vitit 2012 në përkrahjen e plotë të NATO-s dhe edhe më tutje vendimet do të jenë të përbashkëta me Brukselin, varësisht prej gjendjes në Kosovë, rajon dhe më gjërë. Por jemi të bindur se kjo rrugë është e pashmangshme që avancimi i FSK-së të ndodh në kohën e duhur”, u shpreh ministri Mujota.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›