Shtretërit e lumenjve, mbi 30 subjekte shkelin urdhrin për mosshfrytëzimin e tyre
Mbi 30 subjekte kanë shkelur me të dyja këmbët urdhrin e Ministrisë së Mjedisit, për të mos shfrytëzuar shtretërit e lumenjve në mënyrë të paligjshme. Më problematike situata qëndron për lumenjtë e Tiranës, të cilët po shfrytëzohen nga subjekte të ndryshme, edhe pse ekziston një vendim i Ministrisë së Mjedisit, që nga viti 2006, për pezullimin e çdo lloj aktiviteti pranë shtretërve të lumenjve. Lidhur me këtë situatë problematike, drejtori i Kontrollit për Mjedisin, pranë Ministrisë së Mjedisit, Alfred Deshati, shprehet: “Problematike dhe flagrante është baseni i Tiranës, lumi i Erzenit dhe i Tërkuzës. Këtu ka subjekte që operojnë prej vitesh për shfrytëzimin e lumenjve. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Ujërave ndalon në mënyrë kategorike të gjitha këto subjekte që operojnë brenda këtij baseni në çfarëdolloj kohe. Që nga 2006 nuk ekziston më asnjë e drejtë ligjore që këto subjekte të kryejnë aktivitetin e tyre. Por në kontrolle ne kemi arritur të konstatojmë këto subjekte duke punuar dhe i kemi kapur edhe në flagrancë”. Më tej Deshati bën të ditur se numri i subjekteve, jo vetëm në basenin e Tiranës, Erzenit dhe të Tërkuzës, por dhe në atë Matit, të Shkumbinit dhe Semanit shkon në mbi 30 të tilla, që janë penalizuar me gjobë, masa e së cilës shkon deri në shifrën 520 milionë lekë të vjetra. Ndërkaq, një tjetër shqetësim që ngrenë drejtuesit e Mjedisit është edhe ai për gjuetinë e peshkimit, e cila po bëhet pa kriter në liqenin e Ohrit si dhe në atë të Shkodrës. Madje në liqenin e Shkodrës, sipas Deshatit, po ndodh një katastrofë, pasi po përdoret energji elektrike, për gjuetinë e peshkimit. Ndërkohë Ministria e Mjedisit ka nisur aksionet ditët e fundit dhe në subjektet që përdorin lëndë drusore për dru zjarri dhe për përpunimin e tij. Aktualisht aksioni ka nisur në Tiranë dhe do të vazhdojë në të gjithë territorin e vendit.
12 Mars 2010