Harxhi: “Integrimi i vendeve të Ballkanit prioritet i NATO-s”
“NATO përbën një nga aleancat më të suksesshme të krijuara ndonjëherë dhe Shqipëria është e nderuar që është pjesë e saj”, është shprehur dje zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi gjatë fjalës së hapjes në konferencën rajonale “Koncepti i Ri Strategjik i NATO-s/ Perspektiva nga Ballkani Perëndimor”, e cila organizohet nga ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, mbështetur nga Divizioni i Diplomacisë Publike të NATO-s dhe ambasada Amerikane në Tiranë. Më tej, ajo tha se sot përballemi me rreziqe tradicionale dhe globale, prandaj roli i NATO-s është i vlerësueshëm. “Sulmet e sistemeve përmes internetit, kërcënimi nga pirateria, shtete të dështuara apo në dështim, apo rreziqet e sigurisë nga klima globale dhe fatkeqësitë si edhe ato etnike, janë disa nga format me të cilat shfaqen kërcënimet në botën e sotme”, - tha Harxhi. Më tej, ajo citoi se koncepti strategjik i NATO-s duhet të parashikojë edhe zgjerimin e aleancës, i cili duhet të garantojë vlerat e përbashkëta të anëtarëve, mes të cilëve përfshihet edhe Shqipëria. “Integrimi i vendeve të Ballkanit parashikohet si një ndër pikat kryesore të konceptit strategjik të NATO-s. Zgjerimi i NATO-s në kufijtë e Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë”, tha më tej ajo.
Berisha prezanton në Elbasan projektin e autostradës fushore Tiranë-Elbasan
Kryeministri Berisha u takua dje me qytetarë të Elbasanit dhe foli për reformat dhe projektet e mëdha të qeverisë. Në këtë takim u prezantua edhe projekti i autostradës Tiranë-Elbasan, të cilin Kryeministri e konsideroi veprën më madhore që Shqipëria ndërton në këtë 4 vjeçar. Autostrada Tiranë-Elbasan, me gjatësi 31 kilometra, është segmenti i parë i Boshtit të Jugut. Autostrada do jetë me 4 korsi, do të ketë dy tunele përkatësisht 2.3 dhe 2.1 kilometra, 7 mbikalime, 4 nënkalime, 3 kryqëzime dhe shpejtësi lëvizjeje 110 km/orë. “Kam nder të madh dhe kënaqësi të veçantë që vij sot tek ju, në prag të ditës së verës, me një lajm të gëzuar, me përfundimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan apo e segmentit të parë të Boshtit të Jugut, që përbën edhe veprën më madhore që Shqipëria ndërton në këtë 4 vjeçar. Autostrada Tiranë-Elbasan, e zgjedhur në trajektoren më të shkurtër të saj, ka një rëndësi kapitale për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomik jo vetëm të Elbasanit, por të vendit në tërësi. Kjo autostradë e shndërron Elbasanin në qytetin më të afërt, ose pothuaj në një pjesë integrale të metropolit shqiptar, Tiranës. Kjo autostradë realizon një ëndërr të kahershme të qytetarëve të Elbasanit për të arritur Tiranën duke çarë malet dhe, faktikisht, kjo do të ndodhë gjatë këtyre dy viteve që vijnë. Kjo autostradë shkurton ose u kursen së paku 40 minuta kohë jo vetëm qytetarëve të Elbasanit, por edhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë juglindore dhe jugore”, është shprehur Berisha.
12 Mars 2010