Shkollat private, maturantët do t’i zhvillojnë provimet në vende publike
Jonida Tashi
Maturantët e shkollave private do t’i zhvillojnë provimet e Maturës në ambiente jashtë shkollave ku kanë mësuar. Ky është rregulli i ri që ka vendosur këtë vit Ministria e Arsimit, për mbajtjen e provimeve të Maturës në shkollat jo publike. Kështu, sipas këtij rregulli, të përcaktuar edhe në rregulloren e Maturës Shtetërore 2010, maturantët do të grumbullohen në një ambient të caktuar nga Ministria e Arsimit, dhe jo në shkollat e tyre apo të shpërndarë siç është vepruar gjatë viteve të shkuara. Ndërkaq, edhe datat e rregullat e provimeve të Maturës Shtetërore 2010, të vendosura nga Ministria e Arsimit, do të jenë të vlefshme edhe për maturantët e shkollave private. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, për përcaktimin e datave të provimeve, edhe në institucionet arsimore private, provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste, si dhe në institucionet ekuivalente publike.
Mjediset
Dy muaj para kryerjes së tyre provimeve të Maturës, komisionet e maturës pranë drejtorive ose zyrave arsimore të vendit duhet të evidentojnë dhe inspektojnë mjediset ku do të zhvillohen provimet. Sipas rregullores së Maturës, do të konsiderohen mjedise të përshtatshme për zhvillimin e provimeve të Maturës, ato që plotësojnë kriteret e mëposhtme: mjedisi më i vogël, i përshtatshëm për zhvillimin e provimeve të detyruara, të jetë për të paktën 15 maturantë, ndërsa për provimet e lëndëve me zgjedhje të jetë i mjaftueshëm për të paktën 25 maturantë; largësia ndërmjet çdo maturanti të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri maturant tek tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa; në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin; mjediset të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara; në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk ka postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim; maturantët ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim; sipërfaqja që maturanti ka në dispozicion për të shkruar është të paktën (40 x 60) cm; çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, të ketë komunikim me rrugë automobilistike. Për provimet e Maturës, në shkollat ku numri i maturantëve është më i vogël ose e barabartë me 40, drejtoritë arsimore duhet të grupojnë shkollat si dhe të caktojnë mjedisin ku do të zhvillohen provimet. Pas përcaktimit të mjediseve, drejtoritë arsimore duhet të njoftojnë shkollat përkatëse, për të lajmëruar çdo maturant dhe për t’u krijuar atyre kushte lehtësuese transporti për provimet e detyruara.
Hyrja
Hyrja e maturantëve në mjediset e provimit do të realizohet sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, në të kundërt kandidatët humbasin të drejtën e pjesëmarrjes. Sipas rregullave të vendosura nga kjo ministri, maturanti duhet të paraqitet në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë do të kryhet identifikimi i maturantit, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për maturantët. Procesi i identifikimit të çdo maturanti gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit do të kryhet nga Përgjegjësi i Administrimit të Provimit (PAP). Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës, administratorët e provimit dhe administratori i sekretimit. Drejtori i shkollës dhe personat e paautorizuar nuk lejohet të hyjnë në mjediset ku zhvillohet provimi. Më tej, hyrja dhe shpërndarja e çdo maturanti nëpër klasa, do të bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Nuk do të lejohen të hyjnë në mjediset e provimit personat që nuk janë në listat e AVA si dhe nuk kanë mjet identifikimi. Sistemimi i çdo maturanti, në mjediset/sallat e provimit do të bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes se tyre. Së fundi, do të ndalohet edhe ndërrimi i vendeve.
12 Mars 2010