Bashkia e Tiranës, në mars nis punimet për ndërtimin banesave për të pastrehët
Eljona Lata
Bashkia e Tiranës brenda këtij muaji pritet që të fillojnë punimet për ndërtimin e banesave sociale “Vëllezërit Manastirliu”. Ky fakt bëhet i ditur nga burime konfidenciale pranë njësisë bashkiake, ku theksohet se pasi të bëhet mbledhja e këshillit bashkiak në datë 19 mars do të nisin punimet për projektin në fjalë. Në kuadrin e Programit “Për Integrimin e të Pastrehëve”, Bashkia ka caktuar disa lokalizime në qytet, të cilat janë asete të saj, ku do të ndërtohen banesa sociale. Njëra prej hapësirave të sipërpërmendura ndodhet në Rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, pranë Bllokut të Ambasadave, midis Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Ky projekt parashikon të strehojë në çdo kat 16 familje të madhësive dhe përbërjeve të ndryshme. Është parashikuar që këto banesa të ofrojnë strehë për familje me madhësi të ndryshme. Banesat nuk do të jenë të së njëjtës madhësi, por do ti përshtaten numrit të pjesëtarëve të një familje.
Strehimi
Qëllimi i ndërtimit të Banesave Sociale është strehimi i personave dhe familjeve ‘pa strehë' si edhe integrimi i tyre në shoqëri. Për këtë arsye, objekt i këtij programi janë disa hapësira të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit e sidomos brenda unazës ekzistuese, të mpleksura në zona banimi të një cilësie mbi mesataren. Përveç kërkesave për strehim, këto hapësira do të përmbushin pjesërisht edhe kërkesat për parkim, pasi sipërfaqja e nëntokës së tyre do të përdoret si Parkim Publik. Hapësira aset i Bashkisë së Tiranës zë vend në një bllok banimi ku lartësia mesatare është 6 kat, dhe për t'iu përshtatur kondicioneve urbane të zonës lartësia e propozuar për banesën sociale është gjithashtu 6 kat. Nëntoka e kësaj hapësirë do të ketë 2 kate parkim, i cili do të administrohet nga Bashkia e Tiranës dhe do t'u shërbejë jo vetëm banorëve të objektit por edhe më gjerë. Banesa sociale parashikon të ofrojë strehë për familje të madhësive të ndryshme dhe për këtë arsye brenda saj janë planifikuar apartamente të tipit garsonier, 1+1, 2+1, si edhe 3+1. Standardet për projektimin e këtyre apartamenteve janë aplikuar në bazë të rregulloreve përkatëse.
Punësimi
Sipas Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU), banorëve u është vendosur një kufi i limituar qëndrimi në banesa, i cili do të detajohet më vonë nga specialistët. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve, apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë, që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pagesa mujore që do të bëjnë qytetarët nuk është përcaktuar ende. Por, të gjithë banorët që do të strehohen nëpërmjet këtij projekti kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e banesës në bazë të pjesëtarëve të familjes dhe hapësirës që duan të kenë. Ndërsa pjesa tjetër i takon Drejtorisë së Strehimit, e cila, përveç kërkesës së banorëve, do të bëjë seleksionimin, duke u dhënë hapësirë banimi më të madhe familjeve të mëdha dhe anasjelltas
Kush përfiton:
Familjet e pastreha, nga fatkeqësitë natyrore
Familjet e pastreha, për shkak të vendimeve gjyqësore
Ato që jetojnë në kushte të vështira higjieno-sanitare
Familjet me shtëpi në rrezik shembjeje
Ato që trajtohen me ndihmë ekonomike
Jetimët e papunë
Prindërit e fëmijëve që kane lindur trinjakë etj
12 Mars 2010