Alarmi i rremë për bombë, radhë e gjatë në Kakavijë
Kakavijë-Radhë e gjatë në Kakavijë pas bllokimit të punës si pasojë e një alarmi për bombë në anën greke të doganës.
Kontrolli i imtësishëm i bërë në doganë nga forcat e policisë greke ka arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një alarm të rremë.
Pas kësaj, policia ka vendosur që puna të rifillonte dhe të hapeshin sërish sportelet. Burime nga dogana jonë bëjnë me dije se ndërkohë në radhë janë shumë emigrantë shqiptarë që presin të hyjnë në atdhe për pushime.
“Radha gjatë kohës që u ndërpre puna ka arritur deri në 1 kilomëtër, ndërkohë që aktualisht ka ende radhë të gjatë në anën greke të doganës”- thonë burimet nga Kakavija.
Alarmi për bombë në doganë greke të Kakavijës u dha përmes një telefonate dhe shkaktoi panik mes punonjësve dhe qytetarëve që kanë qenë në pritje për të kaluar kufirin.
Sipas burimeve zyratre të policisë në doganë mësohet se njoftimi është dhënë nëpërmjet një telefonate anonime, nga një qytetar grek.
Puna u bllokua totalisht në të gjithë sportletet që kryejnë procedurat për hyrjen e emigrantëve dhe automjeteve.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në shqipëri 6700 shtetas me 1900 automjete. Pala greke punon me 8 sportele, 4 në hyrë e po aq edhe në djalë. Kurse pala shqiptare punon me 10 sportele, 7 në hyrje dhe 3 në dalje.