E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, jeta e 202 grevistëve, në rrezik serioz



Teksa sheh nga lart, prej lokaleve luksoze të Kullave Binjake, jetën që përpiqet të lëvizë në çadrat e grevistëve që ndodhen para Kryeministrisë, e kupton se shëndeti i 202 burrave dhe grave rrënohet në heshtje, si pa u kuptuar. Edhe qytetarët e zakonshëm ende nuk e kanë të qartë se çfarë ndodh brenda. Në mesditën e së enjtes, edhe një tjetër protestues ka dalë nga zona e ngujimit për të marrë trajtimin në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Në infermierinë e improvizuar në bulevard thuajse çdo orë shtretërit janë të mbushur plot me grevistë të këputur, të cilët marrin serume. Të paktën dhjetë prej personave që ndodhen në “kampin e protestës” janë në gjendje të rëndë. Burime nga grupi i organizimit të grevës bëjnë të ditur se Blendi Klosi është ndër grevistët që ka problemet më të mëdha për shkak të sëmundjes së diabetit. Ai ka refuzuar edhe dje që të dalë, ndonëse mjekët sugjerojnë që persona me probleme të tilla shëndetësore duhet që të mos qëndrojnë më gjatë.

Pacienti i katërt
Orët e mesditës janë kthyer në periudhën më të vështirë për 202 grevistët që janë ngujuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Siç thotë njëri prej tyre, ulja e temperaturave e bën të përballueshme mbrëmjen deri në orët e para të mëngjesit. Ndërsa në pikun e vapës, në zagushi, të gjithë ndihen të topitur. Pas tri rasteve të para, ditën e shtatë të grevës u pa e domosdoshme që njëri prej grevistëve të shtrohet në spital. Demo Muhaj është nxjerrë me urgjencë nga mjediset e grevës në drejtim të spitalit. Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, e cila vetëm pak ditë më parë pati të njëjtin fat me Muhajn, thotë se pacienti u çua në spital për shkak të një krize hipertensive. “Pati një gjendje me humbje të ndërgjegjes. U ndërhy në gjendje të menjëhershme në infermieri, pastaj u detyruam ta çonim në spital, kundër dëshirës së tij, sepse ai nuk donte kurrsesi që të largohej”, - shpjegon grevistja me profesion mjeke. Sipas saj, Muhaj, “duke qenë një i sëmurë me sëmundje kronike, me hipertension, ishim të detyruar që ta dërgonim në spital”.

Gjendja
Deputetja e Partisë Socialiste, mjekja Klodiana Spahiu, sqaroi dje për mediat gjendjen shëndetësore të protestuesve të ngujuar në mjediset para Këshillit të Ministrave. “Situata sa vjen dhe po rëndohet. Tashmë grevistët po paraqesin simptoma të dhimbjes së muskujve, të uljes së tensionit. Ka filluar në disa raste edhe diarreja”, - thotë Spahiu. Sipas saj, “është një situatë jo e mirë, por grevistët kanë një frymë të lartë optimizmi dhe ndjehet te të gjithë, pavarësisht se nuk duan ta paraqesin gjendjen e tyre të rënduar shëndetësore”. Brenda çadrave, shërbimi shëndetësor realizohet nga ekipet e mjekëve që kanë përzgjedhur organizatorët e protestës, të cilët kanë improvizuar një infermieri ku jepet ndihma e shpejtë. Jashtë mjediseve, pak metra larg, ndodhen çdo ditë 3 autoambulanca, të gatshme për të përcjellë pacientët në spital. Urgjenca e kryeqytetit është në gatishmëri, ndërsa trajtimi bëhet në Pavijonin e Infektivit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Që prej ditës së parë të grevës kanë marrë ndihmë të specializuar në spital katër persona, të cilët më pas janë rikthyer në mjediset e grevës.

GREVISTËT E SHTRUAR

Klodiana Spahiu - Durrës
Romeo Sina - Vlorë
Ramazan Ceka - Elbasan
Demo Muhaj - Tiranë

REAGIMI
Vasili: “Trajtimi, bashkëpunim me mjekët simpatizantë të PS-së”

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka kërkuar që të lejohen autoritetet shëndetësore shtetërore që të japin ndihmën mjekësore në brendësi të grevës dhe pranë grevistëve. Përmes një deklarate publike ai kërkoi bashkëpunim me mjekët e përzgjedhur nga grupi organizator i protestës, të cilët në mënyrë vullnetare po e kryejnë këtë shërbim që prej fillimit të grevës. Sipas saj, “ekipet mjekësore po vijojnë të jenë të pranishme 24 orë në 24 jashtë mjediseve të grevës”.
“Ministria e Shëndetësisë vë në dukje se dhënia e një kujdesi shëndetësor cilësor është e domosdoshme dhe përbën një detyrim ligjor, ndaj dhe shpreh shqetësimin e saj për moslejimin e autoriteteve shëndetësore shtetërore për të ofruar shërbim shëndetësor të kualifikuar brenda mjediseve të grevës”, - thuhet në deklaratën e bërë nga Ministria e Shëndetësisë. Në përfundim theksohet fakti se “monitorimi i shëndetit të grevistëve është një detyrim i patjetërsueshëm dhe përbën një përgjegjësi ligjore, e cila duhet ushtruar në mënyrë profesionale, ndaj dhe Ministria e Shëndetësisë konfirmon edhe njëherë gatishmërinë për ta përmbushur këtë përgjegjësi”.

Përgatitën: Albert Gjoka
Eneida Jaçaj

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›