E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brokaj: “Gjendja është shumë e rëndë, të sëmurët me diabet duhet të dalin”



Gjendja në radhët e grevistëve mund të dalë jashtë kontrollit nga momenti në moment. Kështu u shpreh dje për gazetën “Albania” mjeku Sabit Brokaj, menjëherë pasi kishte inspektuar personat që ndodhen në grevë. Ai sugjeron që protestuesit, të cilët vuajnë nga sëmundja e diabetit, e kanë të këshillueshme që të dalin pasi rrezikojnë seriozisht jetën e tyre. Ish-politikani Sabit Brokaj thotë se këtu flitet për një kauzë dhe kjo kauzë duhet të shkojë deri në fund.

Si paraqitet gjendja shëndetësore e grevistëve?
Në termin e përgjithshëm është e rënduar. Të gjithë kanë shfaqje të mungesës së atyre produkteve që janë jetësore. Po bëhet më e dendur nevoja për aplikime injektable e substanca zëvendësuese ose qetësuese. Gjykoj se në mënyrë të përshpejtuar situata do të rëndohet. Periudha që organizmi ka fuqi dhe kapacitet kompensues për të përballuar situata të tilla është konsumuar. Situata, realisht, po bëhet serioze. Shqetësimet ndodhin në mënyrë të heshtur, që duken fillimisht si të tolerueshme. Por, që pasojat, për shkak të mungesës së substancave, janë vërtet me rrezik.

Çfarë reagimi ka trupi i njeriut në ditën e shtatë të grevës së urisë?
Është e pranishme ndjenja e dobësisë, dhimbjet muskulore, dhimbjet e barkut. Janë një mori shqetësimesh, pasi organizmi është unik sepse shfaqen në të gjitha sistemet, te të gjitha organet.

Çfarë duhet të bëhet me grevistët që vuajnë nga diabeti?
Është këshilluar dalja e tyre, por ata vijojnë të qëndrojnë. Ne e ndjekim me shumë vëmendje gjendjen e tyre.

Ju, si ish-politikan, a keni një mesash politik për krizën politike?
Në qoftë se një individ, aq më shumë një grup shoqëror që lufton në emër të një shumice popullore hyn në grevë, kjo është një kauzë që duhet të shkojë deri në fund dhe të zgjidhet. Këtu bëhet fjalë për një kauzë që ka të bëjë me jetën e vendit.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›