Fini takon Berishën e Ramën, kërkon zgjidhjen e krizës
Eljona Ballhysa
Kryetari i Dhomës së Deputetëve italianë, Xhanfranko Fini, zhvilloi dje një vizitë në Tiranë, ku takoi dy liderët e politikës shqiptare, kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së, Rama. Në këto takime palët kanë diskutuar gjerësisht për situatën politike në vend, ndërsa publikisht, vetë Fini tha se politika shqiptare duhet të gjejë sa më parë një zgjidhje. Vizita e Finit duket si një përpjekje e shtetit fqinj, Itali, që është dhe një partnere strategjike e vendit tonë, për të gjetur shtigje për vendosjen e dialogut mes palëve. Por, të dyja kampet kanë qenë të mbyllura për të dhënë më shumë detaje në takimet bilaterale që zhvilluan me kryetarin e Parlamentit italian. Gjatë takimit me Ramën bëhet e ditur se Fini është njohur me qëndrimin e PS-së dhe arsyet që e detyruan opozitën të protestojë me grevë urie. Ndërsa në takimin me Berishën ai bëri të ditur se duhet të gjendet një zgjidhje për të kapërcyer këtë situatë në një moment të rëndësishëm për vendin, siç është procesi integrues. Ndërsa Berisha u shpreh se ka ende hapësira që të arrihet transparenca e procesit zgjedhor në përputhje me ligjet në fuqi.
Takimet
Kryebashkiaku dhe njëkohësisht lideri i opozitës, Edi Rama, në takimin me presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, Xhanfranko Fini, i dhuroi atij Çelësin e Qytetit, një vlerësim që kryetari i Bashkisë rezervon për njerëz të shquar, vizitorë të nderuar të Tiranës. Kreu i Bashkisë, Edi Rama, e njohu mikun Italian me ndryshimet dhe hovin e kryeqytetit shqiptar, pavarësisht shumë sfidave që mbart zhvillimi i tij. “Po ashtu, Rama, në cilësinë e liderit të opozitës, e njohu presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë me zhvillimet politike në vend, si dhe qëndrimin e forcës politike që ai përfaqëson. Biseda u zhvillua në një frymë të ngrohtë mirëkuptimi dhe miqësore”, - bëhet e ditur nga Bashkia e Tiranës.
Thirrja
Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, Fini tha se duhet të gjendet sa më parë zgjidhja e çështjeve të hapura politike, në respektim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. “Falënderova zotin kryeministër edhe për të dhënat që më paraqiti përsa i përket zhvillimit dhe dinamikës së situatës së brendshme politike shqiptare. Sigurisht që ne respektojmë pavarësinë dhe dinamikën politike të vendit tuaj. Do të kem mundësinë, gjatë vizitës sime në Tiranë, që të kem një takim edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, zotin Rama dhe nuk më mbetet tjetër veçse të uroj për një zgjidhje sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve që janë ende të hapura dhe që kërkojnë zgjidhje. Dhe, sigurisht, sikundër përmendi edhe kryeministri Berisha, në respektim të Kushtetutës, të ligjit dhe të pavarësisë, por edhe të rekomandimeve apo të mendimeve të gjithë komunitetit ndërkombëtar”, - është shprehur Fini. Ndër të tjera, të dy politikanët biseduan dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në procesin integrues të vendit. Fini tha se marrëdhëniet midis dy popujve janë marrëdhënie historike. Ai tha se procesi i integrimit europian dhe ai i liberalizimit të vizave janë të rëndësishme dhe se kanë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane. “Procesi i liberalizmit të vizave është një proces mëse i rëndësishëm dhe që duhet të bazohet në meritën dhe ky përbën edhe synimin kryesor. Gjithashtu Italia është duke punuar gjerësisht për mbështetjen dhe vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave”, - është shprehur Fini.
Ndërsa Berisha, nga ana e tij, garantoi se qeveria e tij do të respektojë të drejtën e opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë për të protestuar. Ai tha se është i hapur për zgjidhje kushtetuese të ngërçit politik, ndërsa shtoi se ka ende hapësira për të bërë transparencë në bazë të ligjeve. “Qeveria ime mbetet e vendosur të respektojë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari shqiptar, force politike apo organizate për të protestuar në mënyrë paqësore, në formën që ai konsideron më të përshtatshme. Sikundër jam dëshmuar dhe dëshmohem i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, transparencën e plotë të çdo procesi në këtë vend. Shqipëria është një vend me shtet ligjor dhe disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të saj. Unë shpresoj që opozita të përfitojë dhe e ftoj opozitën të përfitojë nga këto mundësi”, - është shprehur Berisha.
Fini takon Topallin: “Do të intensifikojmë bashkëpunimit parlamentar”
Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini, gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, Topalli, vendosën që në të ardhmen të intensifikohet bashkëpunimi parlamentar midis dy vendeve. Fini gjithashtu tha se falë progresit, reformave dhe plotësimit të detyrimeve, liberalizimi i vizave për Shqipërinë pritet të bëhet brenda vjeshtës si një vendim krejtësisht i merituar. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për lobimin që zoti Fini personalisht po bën edhe me krerë të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së për heqjen e vizave. “Shqipëria i ka plotësuar tashmë të gjitha detyrimet teknike dhe kjo është shprehur edhe nga përfaqësues të Komisionit Europian. Kemi punuar intensivisht në Parlament për të gjitha ligjet që janë detyrime për liberalizimin e vizave dhe do të kisha dashur që edhe opozita të ishte pjesë e këtyre proceseve”, - është shprehur Topalli.
7 Maj 2010