E Diel, 1 Nëntor 2026

Fyle, ultimatum: Te zgjidhet urgjentisht kriza!



Bashkimi Europian u jep ultimatumin dy partive kryesore shqiptare, duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të krizës. Thirrja e Brukselit zyrtar, e përcjellë prej komisionerit për Zgjerimin, Fyle, është e zhveshur nga gjuha diplomatike duke bërë thirrje për një zgjidhje urgjente. Zyrtari i lartë i BE-së, në prag të vizitës zyrtare në Kosovë, ka paralajmëruar se situata aktuale në Shqipëri do të ndikojë në përgatitjen e opinionit për nisjen e negociatave të anëtarësimit. “Mendoj se Bashkimi Europian dhe unë personalisht jemi shprehur shumë qartë për këtë çështje: Bëj thirrje te qeveria dhe opozita për përgjegjësinë e tyre të përbashkët, për një zgjidhje të bazuar në Kushtetutë dhe që të garantojë transparencën”, - tha komisioneri Fyle. Sipas tij, kjo “do të ndikojë te opinioni që po përgatit Bashkimi Europian, nëse duhet të fillohen bisedimet me Shqipërinë”.
Komisioneri ka shtuar se Shqipëria ka bërë shumë progres në vitet e fundit, por ka nënvizuar se kriza do të ketë një ndikim negativ. Ripërsëritja e apelit të Brukselit vjen pas disa muaj dështimesh në negociatat e faktorit ndërkombëtar për t’u dhënë fund problemeve që dolën prej zgjedhjeve të 28 qershorit.
Edhe tri ditë më parë, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë në Komisionin Europian përcolli një mesazh të ashpër duke bërë fajtor edhe Berishën, dhe Ramën për përkeqësimin e klimës politike në vend. Greva e ndërmarrë nga PS-ja tregoi se palët janë ende larg gjetjes së një marrëveshjeje për hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ndërkohë, në axhendën e ministrave të Jashtëm të BE-së, në takimin që do të zhvillojnë më 10-11 maj 2010, është përcaktuar edhe raundi i radhës së bisedimeve mes Shqipërisë dhe Brukselit zyrtar. Me siguri, në epiqendër të bisedimeve mes palëve do të jetë tensionimi i gjendjes politike në vend pas hyrjes në grevë të 202 deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste. Në axhendën që ka Tirana zyrtare në BE-në janë: liberalizimi i vizave, i paralajmëruar se do të mbyllej në qershor dhe përgatitja e opinionit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por, zhvillimet politike të muajve të fundit kanë vënë në pikëpyetje ecurinë normale të proceseve integruese.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›