Ngjela: “Greva e urisë do të shndërrohet në ngjarje historike”
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Paskal Milo, e ka cilësuar grevën e urisë si ngjarje që do të hyjë në histori. “Këto çadra do të hyjnë në historinë politike, në një vend ku ka 100 vjet ku nuk po gjejmë dot veten tonë”, - tha Ngjela. Sipas tij, populli duhet të dijë se liria e demokracia vijnë prej betejave dhe shprehet i bindur që populli do të dijë të dalë fitimtar në këtë betejë të gjatë. “Liria, demokracia dhe përparimi në kohët moderne kanë ardhur nga sakrifica, kanë ardhur nga beteja dhe të gjithë ne jemi të përgatitur për një betejë të gjatë. Ata që janë thyer ende nuk e shikojnë humbjen se janë në marrëzinë e atyre që kanë hipur në kuaj që nuk dinë t’i ngasin”, - theksoi Ngjela. Duke ironizuar kryeministrin Sali Berisha, Ngjela theksoi: “Kryeministri ynë nuk është kalorës, ka ecur me samar. Këta njerëz që po krijojnë tragjedinë tonë në thelb janë tragjikë. Shqiptarët po përballen sot jo me armë, jo me grushte, por me sakrificë sublime. Ngjela i ka bërë thirrje maxhorancës që të gjejnë rrugën e dialogut me opozitën, duke u ulur në tryezë. “Ose të ulet në tryezë për t’i treguar popullit të vërtetën që mban në kuti, ose të gjejë vend ku të futet nëse shqiptarët e gjejnë vetë të vërtetën”, - nënvizoi kreu i PLD-së.
Sindikata e Minatorëve mbështet grevën e urisë së Partisë Socialiste
Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, solli dje për të gjithë protestuesit përshëndetjen e minatorëve që, sipas tij, “në vitin 1991 ishin në grevë si sot për liri dhe demokraci të vërtetë, dhe jo për këtë pushtet. Ky kryeministër nuk njeh familjen e vet, pra ne që e sollëm në pushtet”, - tha Xibri. Gjatë fjalës së tij, Xibri theksoi se të gjithë minatorët, edhe pse nuk janë të pranishëm në bulevard, me zemër janë të gjithë këtu. “Zemra e minatorëve rreh njësoj me zemrën e grevistëve, me zemrën e protestuesve, me zemrën e çdo shqiptari që nuk është helmuar me çorbën e prishur të Sali Berishës”, - u shpreh Xibri. Ai deklaroi se minatorët do të vazhdojnë të protestojnë edhe më 9 maj për të zhdukur fashizmin. “Ne do të jemi nesër përsëri në protestë; është e 58-ta herë që protestojmë e kryeministri hesht. Edhe më 9 maj do të jemi përsëri në protestë sepse është fitorja ndaj fashizmit, se fashizmin e kemi këtu”, - nënvizoi Xibri.
7 Maj 2010