E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha ka asgjesuar Kushtetuten ne Shqiperi”



Një grup protestuesish të ardhur nga Shkodra, Lezha e Laçi janë ndalur përpara Kuvendit të Shqipërisë pak para se të fillonte seanca parlamentare e pasdites së djeshme. Me pankarta në duar, ku lexoheshin shprehjet: “Ndal rrënimit ekonomik!”, “Duam transparencë!”, “Hap kutitë e votimit!”, “Luftë varfërisë në Shkodër”, protestuesit kanë bllokuar hyrjen e Parlamentit. Më pas, të gjithë janë drejtuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar. Ata janë shoqëruar nga deputeti socialist Eduard Shalsi.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në protestën e pasdites së djeshme bëri të ditur se gjendja e grevistëve po rëndohet nga momenti në moment. Ai u shpreh se 202 qytetarë po përballojnë një stërmundim. Sipas tij, ky është turpi i kryeministrit Berisha, që nuk ka zemër të ndiejë hallet dhe problemet e vendit. “Gjendja e atyre që janë në këtë çadër po shkon duke u rënduar. Sot, një tjetër grevist doli nga çadra me ambulancë, të tjerë janë në një gjendje aspak të lehtë, po përballojnë një stërmundim, i cili është turpi i Sali Berishës dhe pushtetit të tij”, - theksoi Rama. Kryesocialisti ka shprehur mirënjohje për të gjithë grevistët, të cilët po kalojnë momente shumë të vështira. “Mirënjohje për të gjithë ata që po mbajnë trupin me ushqimin e aspiratave tona të mëdha. Ky është shpirti i opozitës shqiptare që po provon me rezistencë të palëkundur ndaj presioneve e dhimbjeve, të vërtetën e saj. Ky stërmundim nuk është për të kërkuar privilegje, por për të fituar të drejtën për të jetuar me dinjitet”, - tha Rama. Më tej, lideri i opozitës e ka vënë theksin te një ligj i miratuar nga qeveria, i cili, sipas tij, e shet tokën në bregdet me 1 mijë lekë metri katror. Rama ka theksuar se miratimi i këtij udhëzimi është dëshmi e korrupsionit të thellë qeveritar. “Në vitin 2010 u tha se paratë e marra nga pronarët e fshatrave turistike do të shkonin për të paguar rrogat e ALUIZN-it dhe ç’të mbetej te pronarët e vjetër. Ndërsa dje, kur ne jemi në një betejë për Shqipërinë e të gjithëve, qeveria miratoi një udhëzim për të llogaritur vlerën e tokave dhe toka në bregdet mbetet 1 mijë lekë metri katror. Të gjithë e dinë që në bregdetin e Durrësit toka mund të shitet nga 30 euro metri katror deri në 250 euro. Por qeveria ka nxjerrë një hartë të vetën, sipas së cilës çmimet e tokës truall variojnë, sepse variojnë edhe orekset brenda asaj harte”, - deklaroi Rama.
Kushtetuta
Kryesocialisti e akuzoi kryeministrin Berisha për asgjësimin e Kushtetutës, duke u shprehur se ligji në Shqipëri bëhet nga interesat e oborrit të mbretërisë së pashpallur. “Qytetarët e dëgjojnë çdo ditë Kushtetutën nga goja e politikanëve, por nuk e gjejnë gjëkundi. Kushtetuta është asgjësuar. Ligjin në Shqipëri e bëjnë interesat e oborrit të mbretërisë së pashpallur që po e përpijnë Shqipërinë, vetëm e vetëm që një grusht njerëzish të bëhen përditë e më të pasur. Ne nuk jemi njëlloj me maxhorancën, pasi ne flasim gjuhën e arsyes, ndërsa ata bërtasin me gjuhën e urrejtjes”, - u shpreh Rama.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›