Alarmi në Pakistan, rifillojnë përmbytjet e tjera
Pakistani rrezikon të përmbytet sërish, ndërsa situata vazhdon të përkeqësohet në provincën jugore të Sindit. Ujërat në rritje kanë detyruar dhjetëra mijë njerëz të largohen nga shtëpitë duke shtuar numrin e miliona të tjerëve që kanë nevojë për ndihmë.
Në veri, përmbytjet kanë filluar të bien duke zbuluar pamjen e plotë të shkatërrimeve. Organizata Ndërkombëtare e Migrimit ka bërë të ditur se nevojat për strehim për shkak të përmbytjeve i kalojnë kapacitetet e qeverisë pakistaneze dhe të agjencive ndërkombëtare të ndihmës. OKB-ja njofton sa ka pasur një rritje të parave të premtuara si ndihmë ndërsa është plotësuar gjysma e premtimeve. Miliona vetë janë ende në pritje të furnizimeve të para me ndihma humanitare. Nikolas Rider, një nga zëdhënësit e Zyrës së OKB-së për çështjet e Koordinimit të Ndihmave Humanitare bëri të ditur se si po shpërndahen ndihmat. "Ne po synojmë të japim ndihmën tonë për njerëzit më në nevojë dhe për njerëzit që qeveria mendon se nuk ka mundësi të shkoj tek ata. Ka afro 1.5 milionë të pastrehë për momentin, dhe njerëz që kanë nevojë për strehim dhe ne po punojmë t’u çojmë pajisje strehimi, ndërkohë që qeveria po kujdeset për evakuimet dhe po ofrojnë një asistencë të madhe në këtë drejtim. Ne jemi duke punuar në partneritet me qeverinë pakistaneze për të përmbushur dhe plotësuar atë që ata po bëjnë.
Oferta
India i ka ofruar Pakistanit një ndihmë urgjente prej rreth pesë milionë dollarësh. Megjithatë Pakistani heziton të pranojë ndihmat nga India. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun gjatë një vizite në rajonin e katastrofës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për një ndihmë urgjente prej 460 milionë dollarësh, në mënyrë që të sigurohet përkujdesja gjatë tre muajve të ardhshëm ndaj 20 milionë të prekurve nga katastrofa natyrore. Në qarqet e qeverisë pakistaneze thuhet se kjo është një temë delikate. Pesë milionë dollarë ndihmë urgjente i ka ofruar Pakistanit armiku i betuar dhe vendi fqinj India, si kontribut për tejkalimin e katastrofës së përmbytjeve. Megjithatë Pakistani ende nuk i ka dhënë përgjigje Indisë. Politikani pakistanez Sajas Naser sqaron shkaqet: "Ky ngurrim ka të bëjë me krenarinë kombëtare. Nga ana tjetër duke marrë parasysh përmasat e tmerrshme të kësaj katastrofe do të duhej të mirëpritej çdo lloj ndihme. Megjithatë qeveria pakistaneze duhet të mendojë edhe për pasojat politike. Ajo e ndjen veten të dobësuar. Mediet diskutojnë tani për besueshmërinë e kësaj qeverie dhe për një drejtim të keq qeveritare. Pranimi i ndihmave nga India në një moment të tillë mund të rrezikojë edhe më shumë imazhin e saj”.
India dhe Pakistani megjithë tensionet kanë ndihmuar njëra-tjetrën gjatë dhjetë viteve të fundit në përballimin e katastrofave natyrore. Në vitin 2001 në qytetin Bhuj në shtetit federal indian Gujarat, si pasojë e një tërmeti patën humbur jetën rreth 25 mijë njerëz. Ky nuk është rasti i vetëm i ndihmës mes këtyre dy vendeve. Që prej pavarësisë së tyre në vitin 1947 India dhe Pakistani kanë zhvilluar tri luftëra. Përpjekjet e fundit modeste për të filluar një proces të qëndrueshëm paqësor kanë dështuar. Së fundi sulmet e nëntorit 2008 në metropolin financiar Mumbai i kanë dhënë një goditje të rëndë përpjekjeve për shtensionimin e raporteve mes dy vendeve. I mbijetuari i vetëm i sulmeve, Ajmal Kasab ishte nga Pakistani. Ai e ka pranuar se sulmet ishin planifikuar nga territori pakistanez.
BOX
Rusi, zhvillohet samiti me temë Pakistanin
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev është takuar ditën e djeshme me udhëheqësit e Pakistanit, Afganistanit dhe ai i Taxhikistanit. Në samit u publikua një deklaratë ku do të bëhet thirrje për më shumë përkrahje ndërkombëtare për viktimat e vërshimeve në Pakistan. Në këtë samit, që u mbajt në rezidencën e Medvedevit në Detin e Zi, në bregdetin e Sochit, gjithashtu u diskutua edhe për trafikimin e drogës në Afganistan dhe kërcënimet terroriste kundër vendeve të rajonit.
Izraeli bombardon Rripin e Gazës, nuk ka viktima
Izraeli ka bombarduar disa pjesë të qendrës dhe jugut të Rripit të Gazës me raketa ajër-tokë. Sipas zyrtarëve të Palestinës, nuk janë raportuar të lënduar si shkak i këtyre sulmeve. Aeroplanët bombardues të Izraelit kanë goditur një tunel, përmes së cilit zhvillohet kontrabandë në qytezën Rafah, në afërsi të kufirit me Egjiptin. Njoftohet se nga shkaku i sulmeve, tuneli është shkatërruar. Ndërkaq një sulm tjetër izraelit ka goditur një objekt të zbrazët në qytetin e Khan Younis. Objekti i sulmuar gjendet afër telave rrethues të kufirit në mes të juglindjes së Gazës dhe Izraelit. Tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës nuk ka influencuar për gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit në Lindjen e Mesme. Gati 2.000 familjeve iu desh të largoheshin në mes të gushtit 2005 nga vendbanimet, të cilat Izraeli i kishte ndërtuar në territorin palestinez gjatë luftës gjashtëditore në vitin 1967. Pas kësaj konflikti u ashpërsua me marrjen e pushtetit nga Hamasi në Rripin e Gazës dhe me bllokadën izraelite. Në verën e vitit 2007 Hamasi mori përfundimisht pushtetin në Rripin e Gazës. Izraeli pas kësaj vendosi rrethimin hermetik të Rripit të Gazës duke u ndierë i fortë. Edhe europianët dhe Kombet e Bashkuara treguan mirëkuptim për pozicionin e Izraelit dhe nisën të dërgojnë ndihmat e tyre për në Gaza përmes OJQ-ve në vend të instancave qeveritare - gjë që mund të kuptohej si bashkëpunim me Hamasin. Izraeli ka reaguar ashpër, duke sulmuar anijet me ndihma të nisura drejt Rripit të Gazës.
Tel Aviv, zëvendëskonsulli turk u kërcënua nga një palestinez
Zëvendëskonsulli turk në Tel Aviv u kërcënua nga një palestinez. Është zbardhur më në fund incidenti i ndodhur dy ditë më parë në ambasadën turke në Tel Aviv, ku një person hyri duke kërcënuar punonjësit dhe diplomatët. Sipas Ankarasë, ai kërkonte azil politik në Turqi, duke kërcënuar se do të merrte peng zv/konsullin. Pas 7 orësh ai është dorëzuar dhe sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin Nadim Injaz, një palestinez që 4 vjet më parë tentoi të hynte në të njëjtën mënyrë edhe në ambasadën britanike. Në momentin e arrestimit ai kishte me vete një thikë, një shishe benzinë dhe një pistoletë. Policia thekson se ai është liruar para pak ditësh nga burgu.
Moskë
Alarm për bombë në zyrat e “WTC”-së
Në Moskë, zyrat e “World Trade Center”, që ndodhen pranë Shtëpisë së Bardhë, në selinë e qeverisë ruse u evakuuan pas një telefonate anonime në polici për lëndë plasëse. Lajmin e bëri të ditur agjencia “Interfax”, duke cituar burime zyrtare të policisë. Agjentët kanë hyrë në ndërtesë për të parë me imtësi të gjithë ambientin, ndërsa masat e sigurisë në kryeqytetin rus janë forcuar. Masa të sigurisë janë marrë edhe në metro, në stacionet hekurudhore dhe në vendet e transportit publik.
Indi
17 fëmijë të vdekur nga shembja e shkollës
17 fëmijë kanë mbetur të vrarë pas shembjes së një shkolle në shtetin e Uttarakhand, në vazhdim të shirave të furishëm në Indi.
Lajmin e ka bërë të ditur një përgjegjës i shërbimit të ndihmës së shpejtë, sipas të cilit, kërkimet vazhdojnë pasi mund të ketë persona të tjerë nën rrënoja. Çdo vit mes qershorit dhe shtatorit zona është e prekur nga shirat dhe musonët që përmbytin fshatra dhe shkaktojnë vdekjen e personave dhe kafshëve. Nuk dihet ende se sa është bilanci përfundimtar i viktimave.
19 Gusht 2010