Qeveria dyfishon pagesën për orët shtesë të pedagogëve
Pedagogët që japin mësim në universitet që ndodhen larg vendbanimit të tyre do të përfitojnë rritje të pagesës për çdo orë mësimi. Këshilli i Ministrave vendosi dje të dyfishojë pagesën për anëtarët e personelit akademik, efektivë e joefektivë sipas kategorive. Akademikët me titull “Profesor”, do të përfitojnë nga ky vendim 2400 lekë për çdo orë mësimi që japin në universitet e qyteteve larg vendbanimit të tyre. Ata që mbajnë titullin “Profesor i asociuar” , përfitojnë 2200 lekë për çdo orë 60 minutëshe, kategoria “Docent”, përfitojnë 2000 lekë. Kur janë “Lektor i parë”, përfitojnë 1600 lekë dhe “Lektor” 1200 lekë për çdo orë.
Vendimi
Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë një ndryshim në vendimin Nr 748,datë 11.6.2009 “Për trajtimin me pagesë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të personelit akademik të institucioneve publike të arsimit të lartë ku në fund të pikës 7 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Anëtarët e personelit akademik, efektivë e joefektivë, që, për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi në institucione të arsimit të lartë që e kanë vendndodhjen në qytete të tjera, larg vendbanimit të tyre, për çdo orë mësimi të kryer në këto institucione, do të përfitojnë dyfishin e pagesave të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të kësaj pike, sipas kategorisë që ata kanë. Shkronjat përcaktojnë ndarjen e personelit akademik në kategori dhe pagesën për çdo orë mësimi mbi këtë ndarje. ” Pika shtatë përcakton pagesat sipas kategorive për orët shtesë. Në vendimin Nr 748 thuhet se anëtarët e personelit akademik efektivë, që, për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi mbi normën mësimore vjetore, të miratuar me aktet përkatëse, për çdo orë mësimi, të kryer mbi këtë normë paguhen nga 1200 lekë për kategorinë “Profesor” në 600 lekë për kategorinë “Lektor”. Për çdo orë mësimi që personeli akademik do jap sipas ndarjes në kategori do të përfitojë dyfishin e kësaj pagese.
Zbatimi
Punonjësit e personelit akademik do të përfitojnë dyfishin e pagesës duke filluar nga muaji korrik. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar dje pedagogët do të përfitojnë këtë rritje pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. Vendimi i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik. Qeveria ka përcaktuar gjithashtu se efektet financiare për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e institucioneve të arsimit të lartë, për vitin 2010.
TAB
7. Anëtarët e personelit akademik efektivë, që, për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi mbi normën mësimore vjetore, të miratuar me aktet përkatëse, për çdo orë mësimi, të kryer mbi këtë normë, paguhen, si më poshtë vijon:
a) Kur janë në kategorinë “Profesor”, përfitojnë 1200 (një mijë e dyqind) lekë për çdo orë 60 – minutëshe;
b) Kur janë në kategorinë “Profesor i asociuar”, përfitojnë 1100 (një mijë e njëqind) lekë për çdo orë 60 – minutëshe;
c) Kur janë në kategorinë “Docent”, përfitojnë 1000 (një mijë) lekë për çdo orë 60 – minutëshe;
ç) Kur janë “Lektor i parë”, përfitojnë 800 (tetëqind) lekë për çdo orë 60 – minutëshe;
d) Kur janë “Lektor ”, përfitojnë 600 ( gjashtëqind) lekë për çdo orë 60 – minutëshe.
TAB
Ndryshimi
Anëtarët e personelit akademik, efektivë e joefektivë, që, për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi në institucione të arsimit të lartë që e kanë vendndodhjen në qytete të tjera, larg vendbanimit të tyre, për çdo orë mësimi të kryer në këto institucione, do të përfitojnë
a) Kur janë në kategorinë “Profesor” përfitojnë 2400 (dy mijë e katërqind)lekë për çdo orë mësimi në universitet e qyteteve larg vendbanimit
b) Kur janë në kategorinë “Profesor i asociuar” , përfitojnë 2200 (dy mijë e dyqind) lekë për çdo orë 60 – minutëshe;
c) Kur janë në kategorinë “Docent”, përfitojnë 2000 (dy mijë) lekë për çdo orë 60 – minutëshe;
ç) Kur janë “Lektor i parë”, përfitojnë 1600 (tetëqind) lekë për çdo orë 60 – minutëshe;
d) Kur janë “Lektor”, përfitojnë 1200 ( një mijë e dyqind) lekë për çdo orë 60 – minutëshe.
Universiteti i Tiranës, rikonstruktimi i godinave lë pa auditor Shkencat Sociale dhe Juridikun
Studentet e Shkencave Sociale dhe Juridikut do të kenë probleme me mungesën e auditorëve këtë vit të ri akademik. Godina e fakultetit të Drejtësisë dhe ajo e Shkencave Sociale, duket se për vitin akademik 2010-2011, nuk do te presë studentet e saj. Autoritetet e universitetit të Tiranës thonë se shkak janë bllokimi i punimeve në një prej godinave si pasojë e konflikteve të pronësisë. Problemi është tek godina e ish- Kinoklubit ku bizneset private pa asnjë baze ligjore mbajnë ambiente peng ose qe nuk i lëshojnë për te vazhduar rikonstruksionin. Universiteti i Tiranës, i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të marrin masa dhe ta zgjidhin këtë problem brenda dhjetë ditësh. Nëse problemi nuk zgjidhet studentët e shkencave sociale dhe juridikut do të mbeten pa auditor. Universiteti i Tiranës, edhe këtë vit listohet si më i preferuari ndërkohë që kuotat e pranimeve janë me të larta se një vit më parë. Burime zyrtare pranë këtij universiteti thonë se këtë vit stafit pedagogjik për të përballuar fluksin e studentëve do t’i shtohen mbi 100 pedagogë të rinj.
Banorët e qytetit “Studenti” mbeten pa ujë dhe drita
Banorët e qytetit “Studenti” nuk furnizohen me ujë dhe drita prej katër ditësh. Ata kanë dal në rrugë për të protestuar mungesën e ujit dhe kanë kërkuar zgjidhje të problemit. Shkak për këtë mos furnizim me ujë e drita duket se janë bërë disa punime që po kryhen për instalimin e linjave të kabllove telefonike të Albtelekom prej disa ditësh në këtë zonë. Punimet duket se kanë shkaktuar dëmtim të rrjetit të ujësjellësit duke i lënë kështu banorët për ditë të tëra pa ujë. Po kështu dhe mungesa e energjisë elektrike sipas banorëve ka ardhur për shkak të këtyre punimeve. Të revoltuar qytetarët e kësaj zone kanë debatuar me punonjësit dhe u kanë kërkuar që të zgjidhet situata në të cilën ata ndodhen. Po kështu banorët shprehen se punimet kanë shkaktuar shumë gropa në rrugët e kësaj zone, të cilat pengojnë qarkullimin e makinave.
19 Gusht 2010