E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH: Ja kushtet për të përfituar pension familjar



Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën të ditura kushtet që duhet të plotësohen për të përfituar pension familjar. ISSH përcakton dokumentet që duhen plotësuar për të përfituar një pension familjar si dhe masën e përfitimit. Gruaja e ve mund të përfitoj pension familjar kur plotëson këto kushte; mban një fëmijë që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, është e paaftë për punë dhe ka mbushur moshën 50 vjeç. Të njëjtat kushte duhet të plotësojë edhe burri i ve me përjashtim të moshës, ai duhet të jetë 60 vjeç. Përfitojnë nga pensioni familjar jetimi që është në ngarkim të personit që vdiq dhe nipërit e mbesat. Personi i ve, merr 50 % të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndieri, kur është i vetëm dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25 %, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind, masën e tij. Po kështu ISSH sqaron kushtet e përfitimit të pagesës për vdekje dhe dokumentacionin që duket plotësuar për të përfituar këtë pagesë. Sigurimet Shoqërore bëjnë të ditura kushtet e përfitimit nga dega e sigurimit të barrë-lindjeve dhe sëmundjeve.

I.8 Pensioni Familjar
1. Baza ligjore:
a) Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
b) Udhëzimi nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar e pagës neto për efekt pensioni“;
c) Rregullore nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.

2. Kushtet e përfitimit
a) E veja, kur është:
- Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;
- E paaftë për punë;
- Ka mbushur moshën 50 vjeç.
b) Burri i ve, kur është:
- Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç;
- I paaftë për punë;
- Ka mbushur moshën 60 vjeç.
c) Jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë;
d) Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë;
e) Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë;
f) E/I veja humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.

3. Dokumentacioni
Kërkesa për përfitimin e pensionit familjar bashkë me dokumentet e nevojshme paraqitet në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile. Dokumentet që shoqërojnë kërkesën për pension familjar janë si më poshtë:
a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
- Certifikatë e gjendjes familjare;
- Certifikatë vdekjeje e të ndjerit/të ndjerës (ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes);
- Fotokopje e letrës së njoftimit elektronik për kërkuesin, ose përfituesit e tjerë.
b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
- Libreza e punës;
- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
- Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetë-punësuarit, të vetë-punësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
- Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
- Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
- Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
c) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe:
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
- Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
d) Dokumentet që vërtetojnë të qenit në ngarkim të të ndierit/ndjerës:
Krahas dokumenteve të përcaktuara më lart, duhet të dorëzohen dhe dokumentet e mëposhtme:
- Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar;
- Vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune;
- Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që në ngarkim të të vdekurit ishte një i/e ve, që mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, i cili ishte në ngarkim të të vdekurit;
- Vërtetim për personin e ve, që është kërkues për punë;
- Proces-verbal, që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë, si dhe vendimi i KMCAP, kur vdekja është shkaktuar nga sëmundje profesionale;
- Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që prindërit, prindërit e prindërve nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur, jo më pak se një vit para vdekjes;
- Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti nr. 758, datë 01.04.1994 "Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut";
- Vërtetim nga ministria përkatëse për humbjen e jetës së pilotit në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit. Për të marrë këtë përfitim, personi duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë ALSSH-së, ku të deklarojë se nuk është ekonomikisht aktiv (i punësuar ose i vetëpunësuar);
- Jetimi që ka moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është nën 18 vjeç (kur banon në qytet) dhe nën 16 vjeç (kur banon në fshat), në kërkesën për pension deklaron se nuk është i punësuar ose i vetëpunësuar si dhe paraqet vërtetim nga Zyra e Punës.
e) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
- Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës.

4. Masa e përfitimit
Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit.
a) Personi i ve, merr 50 % të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndieri, kur është i vetëm dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25 %, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind, masën e tij;
b) Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50 % e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri;
c) Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 %, por jo më shumë se 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri;
d) Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes;
e) Jetimi merr pension familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 % e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 % e tij;
f) Jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për secilin prej tyre;
g) Kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, kur mbaron afati i pagesës, përfituesi e paraqet në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile duke i bashkangjitur dokumentacionin e kerkuar.

I.9 Pagesat për Vdekje (Shpërblim vdekjeje)

1. Baza ligjore
a) Neni 42, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, të ndryshuar.

2. Kushtet e përfitimit
Pagesa për vdekje i jepet:
a) Një personi të siguruar ose një pensionisti në rast vdekjeje të një anëtari të familjes, që ai ka në ngarkim;
b) Personit që u kujdes për personin e siguruar të vdekur, dhe që pagoi shpenzimet e varrimit.

3. Dokumentacioni
a) Certifikata e vdekjes;
b) Akti i varrimit;
c) Libreza e pensionit.

4. Masa e përfitimit
a) Për pensionistët që përfitojnë pension shteti, kryhet një pagesë prej një pensioni bazë minimal të shtetit, në momentin e lindjes të së drejtës;
b) Për pensionistët që përfitojnë pension fshati, kryhet një pagesë prej një pensioni bazë minimal fshati, në momentin e lindjes të së drejtës.

Përfitimet nga dega e sigurimit të sëmundjeve

1. Baza ligjore
a) Neni 20; 21; 22; 23; 24; 25, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
b) Rregullore nr. 37, e ISSH-së, datë 23.12.2004 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e përfitimeve afatshkurtra”;
c) Rregullore nr. 494, e ISSH-së, datë 05.10.1993 “Për lëshimin e raporteve për paaftësi të përkohshme në punë”.

2. Kushtet e përfitimit
a) Pagesë për paaftësi nga sëmundjet përfitojnë vetëm të punësuarit;
b) 14 ditshi i parë paguhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi;
c) Mbi ditën e 14-të të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjeko-Ligjor (KML), raportet paguhen nga sigurimet shoqërore. Por gjithmonë llogaritjet bëhen nga subjekti;
d) Raporti mjekësor paguhet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë dhe pagesën prej 14 ditësh.

3. Dokumentacioni
a) I punësuari duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon këto dokumente:
b) Raportet mjekësore;
c) Librezën e punës;
d) Formularin e bazës së vlerësuar të vitit paraardhës. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);
e) Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e pikës “a”, plotëson formularin tip-Listë-pagesë e përfitimeve afatshkurtra, dhe e dërgon atë në ALSSH-në, ku ka aktivitetin subjekti;
f) ALSSH pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet e sjella, i kalon pagesat në llogarinë personale të përfituesit, ose në llogarinë e subjektit.

Masa e përfitimit
a) 70 % e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka deri në 10 vjet periudha sigurimi;
b) 80 % e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka mbi 10 vjet periudha sigurimi.

Përfitimet nga dega e sigurimit të barrë-lindjeve

1. Baza ligjore
a) Neni nr. 26; 27; 28; 29, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) Rregullore nr. 37, e ISSH-së, datë 23.12.2004 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e përfitimeve afatshkurtra”;
c) Rregullore nr. 494, e ISSH-së, datë 05.10.1993 “Për lëshimin e raporteve për paaftësi të përkohshme në punë”.

2. Kushtet e përfitimit
a) Për të përfituar lejen e lindjes duhet të kesh 12 muaj periudha sigurimi për çdo rast barrë-lindjeje;
b) Të jesh i siguruar në momentin e lindjes të kësaj të drejte.

3. Dokumentacioni
Përfituesja e lejes së lindjes, e punësuar, duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon këto dokumente:
- Raportet e lindjes;
- Certifikatën e lindjes së fëmijës;
- Certifikatën familjare;
- Librezën e punës;
- Formularin e bazës së vlerësuar të vitit paraardhës (ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);
- Sektori i financës së subjektit, mbështetur në këto dokumente, plotëson formularin tip-Listë-pagesë e përfitimeve afatshkurtra, dhe e dërgon atë në ALSSH-në, ku ka aktivitetin subjekti;
- ALSSH, pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet, i kalon pagesat në llogarinë personale të përfitueses, ose në llogarinë e subjektit;
- Përfituesja e vetëpunësuar, dokumentet e plotësuara do t’i dorëzojë direkt pranë ALSSH, ku dhe bëhen llogaritjet. Pagesa kryhet nga Sigurimet Shoqërore.

4. Masa e përfitimit
- Për periudhën e paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes, për gruan e punësuar është 80 % e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik;
- Për gruan e punësuar, për periudhën tjetër në vazhdim deri sa të plotësojë 12 muaj gjithsej sipas kushteve të përfitimit është 50 % e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik;
- Në momentin e lindjes së të drejtës e vetë-punësuara në qytet përfiton të ardhura të barabarta me pensionin minimal bazë të qytetit;
- E vetë-punësuara në bujqësi, në momentin e lindjes të të drejtës, përfiton të ardhura të barabarta me pensionin minimal të fshatit.

19 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›