E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncert Gala, në nder të ikonës së paqes Nënë Tereza



Nënë Tereza, me misionin e saj humanist që ndërmori përgjatë gjithë jetës, është shndërruar një ikonë paqeje dhe dashurie për mbarë njerëzimin. Në 100-vjetorin e lindjes së bamirëses shqiptare kanë nisur zyrtarisht aktivitetet, që do të mbahen në nderim të
misionares së përbotshme, të cilat do të zgjasin deri më datë 26 gusht. 100-vjetori i shenjtores Nënë Tereza ka nisur me një ekspozitë fotografish, një mbrëmje muzikore, dokumentare apo një vëllim kushtuar jetës dhe veprimtarisë së saj humaniste. Amfitetatri i Durrësit, sonte pret disa nga zërat më të shquar të skenës operistike shqiptare në kuadër të lindjes së Nënë Terezës. Nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dedikuar 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës organizon Koncertin “Gala” të këngëtarëve lirikë, shqiptarë të kudondodhur nëpër botë. Me pjesëmarrjen e jashtëzakonëshme të Adrian Xhema- tenor, Gëzim Myshketa – bariton, Armaldo Kllogjeri – tenor, Burhan Spahiu - udhëheqës artistik, Petrika Afezolli – dirigjent.
E njohur si Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhi ajo misionin e saj humanist e ndërmori përgjatë gjithë jetës. Nënë Tereza jonë ka realizuar në jetën e vet atë qytetërim të dashurisë për të cilën ka folur shumë herët Papa Gjon Pali II, është shprehur Angelo Masafra, zv.president i konferencës ipeshkevore. Ndërsa Anton Nik Berisha, studiues i artit e kulturës shqiptare nën temën, Nënë Terezë, i desha njerëzit me dashurinë e hyjit. Ai ka theksuar se kjo nënë e të gjithëve na deshi me dashurinë e hirit dhe sakrifikoi jetën e saj në shërbim të fëmijëve, të atyre që vuanin e të gjithkujt që kishte nevojë për dashuri e përkujdesje. I veçantë ishte edhe prezantimi i librit "Mendime të Nënë Terezës", që është një përmbledhje e thënieve nga vetë ajo. Programi kushtuar bamirëses shqiptare është i pafund.
Biografia e Nënë Terezës (Angje Gonxhe Bojaxhiu)
Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup në vitin 1910, nga prindër shqiptar, për të shkruar historinë e fundshekullit të XX në aspektin e vetë sakrificës dhe devotshmërisë që njeh njerëzimi. Ajo dëshmoi fuqinë e miqësisë vëllazërore, duke nxitur kështu zhvillimin njerëzor dhe shoqëror. Që nga viti 1950, kur ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave, të quajtur Misionarët e Bamirësisë, ajo u bë nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t'ia dedikonte tërësisht të varfërve. Nënë Terezën e do mbarë bota, por veçanërisht India ku ajo filloi veprën e saj hyjnore që nuk ka kufi. Në Indi Nënë Terezën e duan të gjithë sepse e madhe ishte dëshmia e saj, siç ishte i madh edhe shërbimi i Bijave të saj shpirtërore, të cilat tashmë veprojnë anembanë botës. Për këtë ajo njihet kudo si Nënë Tereza e Kalkutës. Ajo e shikonte Zotin, e donte dhe e predikonte atë gjithmonë dhe në çdo vend. Ashtu siç ishte e thjeshte dhe e përvuajtur, gjithnjë në udhëtim, tërhiqte me vete me mijëra vajza dhe gra për një jetë të tillë. Urata e saj plotësohet edhe me veprime shoqërore në dobi të botës që pëson dhe vuan pa masë. Jeta e Nënë Terezës ishte një kushtim ndaj të sëmurëve dhe të varfëve, të cilët ishin gjithnjë nën kujdesin e saj. Ajo kujdesej për fëmijë të dëbuar apo për njerëz që ishin në buzë të vdekjes për të cilët hapi edhe shtëpinë "Nirmal Hriday". "E di që jemi një pikë në oqeanin e mjerimit dhe të vuajtjes njerëzore, por nëse s'do të ishim ne, kjo pikë mjerimi dhe vuajtjeje do të ishte edhe më e madhe", shprehej ajo. Vepra e Nënë Terezës nuk mund të jetë e fshehur. Atë në radhë të parë e kanë zbuluar dhe përjetuar të varfërit, të shtypurit, të uriturit, të mjeruarit, por edhe të tjerë si njerëzit fetarë, politikanët, njerëzit e artit, të cilët e shpërblyen dhe me tituj morale jetën dhe veprën e saj. Ndër to permendën titujt "Pamada Shir", "Gjoni XXIII për paqe" të cilën ja dorëzoi personalisht Papa Pali VI, "Samaritani i mirë" në Boston, "Shpërblimi Ndërkombëtar Xhon Kennedy" në Uashington, "Nëna e të gjithë nënave", "Balzan", shpërblimi "Nobel për paqen", shpërblimi më i lartë amerikan "Medalja e lirisë", shpërblimi më i lartë i Rusisë "Medalja e paqes" dhe shumë e shumë të tjera. Nënë Tereza është një personalitet i madh botëror dhe një ëndërr e njerëzimit. Ajo ka ëndërruar që njerëzit të jenë të barabartë dhe të mos vuajnë. Prandaj dhe emri i saj u përhap në gjithë botën, duke u bërë shenjtore e gjallë pa vdekur. Nënë Tereza vdiq në Shtator të vitit '97 në Kalkuta ku dhe ndodhet varri i saj.

Ndahet nga jeta moshën 85-vjeçare, Peter Prifti

Prof. Peter Prifti, një nga figurat më të njohura të Diasporës shqiptare në Amerikë, vdiq mbrëmjen e së martës, në moshën 85 vjeçare, në një spital të San Diegos, në Kaliforni. Anëtar i departamentit të Gjuhësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, Peter Prifti në vitin 1969 botoi studimin monografik: “Kosovo in Ferment”, ndërsa punonte në Institutin Teknologjik të Masaçusets (MIT). Më pas, ai do të radhitej krahas studiuesve anglisht-folës, me libra të tjerë të shkencave politike si: “Socialist Albania Since 1944”, botuar më 1978, “Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle”, 1969-1999, librin e vetëm në shqip: “Mozaik shqiptar”, botuar më 2003 dhe më 2005, monografinë në anglisht "Unfinished Portrait of a Country" një portret rreth të kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë. Peter Prifti erdhi në Amerikë në vitin 1940, në moshën 15 vjeçare për të banuar me të atin dhe vëllanë e madh, të cilët, për arsye ekonomike kishin emigruar nga Shqipëria vite më parë. Në vitin 1949, Peter Prifti diplomohet nga Universiteti i Pensilvanisë dhe vendoset në Boston. Aty njihet personalisht me Fan Nolin dhe fillon të punojë si sekretar i Federatës Pan-shqiptare “Vatra”, dhe si redaktor i gazetës “Dielli”, së bashku me atdhetarin e njohur Qerim Panariti.

24 vjet pa aktorin e madh Prokop Mima

Prokop Mima himnizuesi i gjuhës amtare që e ngriti fjalën shqipe në tingëllimin e bukur e të hijshëm. Shen Prokopi i Tempullit të Teatrit njihet si mjeshtri i të folurit skenik që u përjetsua në rolin e Xhivolës tek Komedia e Arturo Uisë. Bredhi i lartuar në kopshtin e teatrit kombtar që simbolizon Prokop Mimën sot na zgjon në kujtesë 24 vjetorin e largimit nga e të gjallëve për t'u përmasuar në dimensionin e kujtesës. Gjerdani i dritshëm i roleve të pakët dhe plot kualitet bën ende të gjallojnë në mendje personazhet e Stefan Haurja te "Emblema e dikurshme", "Intendenti", "Vëllezër e shokë", Dom Marku te "Cuca e Maleve", "Hamleti", "Morali i zonjës Dulska", "Revizori", "Lumi i vdekur", "Intrigë e dashuri", dhe "Toka jonë" në teatër. Si një prej iniciativave të artit modern të maskaveartist Prokopi dokumentohet me rolin e parë në dramën Topazi duke vijuar shkalloren artistike deri me rolin e gjeneral Lejtnantit tek Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur me regji të Pirro Manit. Për punën e jashtëzakonshme dhe si një përjashtim vezullues në plejadën e mjeshtrave të lartë të aktrimit, fenomeni Mima ende në panteonin e vlerave pritet një nderim më i lartë si një personalitet me fizionomi shqiptare. Si një zë në kohë plot muzikalitet në të shprehur është nderuar me titullin "Artist i Merituar" apo çmime e medalje gjatë diktaturës .

Apoloni, zbulohet këmba prej bronxi

Një zbulim arkeologjik është realizuar dje në Apoloni. Një këmbë bronzi, pjesë e një statuje romake është zbuluar nga gërmimet që kreu ekspedita shqiptaro-franceze. Nga format dhe mënyra e krijimit duket se këmba e statujës i përket një luftëtari romak. Vepra mendohet se I përket shekullit të II ose të III pas lindjes së Krishtit. Ekspedita shqiptaro-franceze që po gërmon këto ditë në Apoloni, zbuloi pak ditë më parë një statujë. Statuja është busti i një atleti dhe sipas ekspertëve është gjetur në gjendje shumë të mirë. Vetë ekspertët, flasin për një zbulim spektakolar duke iu referuar vjetërsisë së saj, përmasave të mëdha dhe gjendjes së mirë në të cilën është zbuluar. Statuja romake është zbuluar pranë zonës G në parkun e Apolonisë, pranë vilës romake. Vetë ekspertët, kanë thënë se bëhet fjalë për një zbulim spektakolar duke iu referuar vjetërsisë së saj, përmasave të mëdha dhe gjendjes së mirë në të cilën është zbuluar.

19 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›