E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rrit asistencën sociale dhe rrogat e nëpunësve të pushtetit vendor



Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë janë miratuar dy vendime që parashikojnë rritjen e asistencës sociale, që u vjen në ndihmë personave të papunë, si dhe rritjen e rrogave të nëpunësve të pushtetit vendor. Vendimi “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia” parashikon rritjen me 3,5% të nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia, ose, siç njihet ndryshe, asistencën sociale që përfitojnë nga shteti personat e papunë. Kjo e ardhur financiare siguron të paktën një nivel jetese minimale. Vendimi për rritjen me 3.5% të kësaj të ardhure bëhet në kuadër të indeksimit të çmimit të konsumit. Kjo e ardhur do të jetë 6565 lekë në muaj. Bazuar mbi këtë nivel dhe kompensimet që i jepen çdo përfituesi, përftimi mesatar shkon në rreth 8100 lekë në muaj. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zëri pagesa e papunësisë. Kjo rritje do të ndikojë në zbutjen e problemeve sociale të atyre që janë në proces trajtimi me pagesë papunësie, por edhe të atyre që kanë hyrë së fundmi në këtë skemë mbështetjeje.
Pagat
Një tjetër vendim i marrë dje nga Këshilli i Ministrave është rritja e pagave të punonjësve të bashkive e komunave të ndryshme të vendit. Në bazë të vendimit të qeverisë parashikohet që kryetarët dhe nënkryetarët e njësive të qeverisjes vendore që kanë 20 001 – 50 000 banorë të kenë një pagesë mujore prej 51 000 – 90 000 lekësh për kryetarin dhe 41 000 – 77 000 lekë për nënkryetarin. Për njësitë e qeverisjes vendore me 5001 – 20 000 banorë, kryetari të ketë një pagesë mujore prej 41 000 – 77 000 lekësh, ndërsa nënkryetari 28 000 – 68 000 lekë. Për njësitë e qeverisjes vendore me nën 5000 banorë, kryetari të ketë një pagesë mujore prej 37 000 – 54 000 lekësh, ndërsa nënkryetari 27 000 – 42 000 lekë. Nëpërmjet këtij vendimi, qeveria ka parashikuar rritjen e pagave edhe për nëpunësit civilë të Bashkisë së Tiranës, të minibashkive të Tiranës, si dhe për bashkitë e tjera dhe për nëpunësit civilë të Këshillit të Qarkut. Rritja e këtyre pagave nuk bëhet publike nga Këshilli i Ministrave, por bëhet e ditur se do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi i qeverisë parashikon gjithashtu se specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët në institucionet e qeverisjes vendore që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së administratës publike vendore dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, “Diplomë të nivelit të dytë” (DND) apo “Diplomë të integruar të nivelit të dytë” (DIND) apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike” apo “Informatikë”, përfitojnë një shtesë për kushte pune, prej 10 000 lekësh mbi pagën mujore të kategorisë përkatëse. Miratimi i kësaj shtese do të bëhet, rast pas rasti, nga drejtoritë/njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, në njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje të plotë me përshkrimin e pozicionit të punës. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2010, do të përballohen nga të ardhurat e vetë njësive të qeverisjes vendore, për vitin 2010. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2010.

tabelë
Pagat

Për njësitë e qeverisjes vendore me 20 001 – 50 000 banorë:
Kryetari 51 000 – 90 000 lekë
Nënkryetari 41 000 – 77 000 lekë
Për njësitë e qeverisjes vendore me 5001 – 20 000 banorë:
Kryetari 41 000 – 77 000 lekë
Nënkryetari 28 000 – 68 000 lekë
Për njësitë e qeverisjes vendore me nën 5000 banorë:
Kryetari 37 000 – 54 000 lekë
Nënkryetari 27 000 – 42 000 lekë

Berisha u kërkon ministrave të kenë prioritet turizmin në hartimin e buxhetit për vitin 2011

Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha u bëri thirrje ministrave që të kenë prioritet turizmin në hartimin e buxhetit për vitin 2010. Ai tha se qeveria duhet të përqendrojë më shumë fonde dhe të rrisë investimet në zonat turistike. Sipas tij, gjatë kësaj vere në Shqipëri ka pasur më shumë turistë sesa banorë. “Turizmi është bërë me një shpejtësi marramendëse, një ndër degët më kryesore të kësaj ekonomie dhe kjo brenda një kohe shumë të shkurtër. Këtë vit rritja e vizitorëve, krahasuar me vitin 2004, mund të arrijë në 12 herë. Ky do të jetë viti i parë në historinë e këtij vendi, që Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë se çka banorë brenda saj. Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv. Por, përpjekjet e bëra, sigurisht, kanë qenë të shumta. Investime masive janë adresuar në zonat turistike nga Velipoja deri në Ksamil. Këto investime, në tërësi në infrastrukturë, tejkalojnë 1 miliard euro”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Duke e vlerësuar zhvillimin e turizmit këtë vit si një burim shumë të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë, kryeministri u shpreh se ky fenomen jashtëzakonisht pozitiv duhet të ridimensionojë tërësisht qëndrimin e agjencive përkatëse dhe ministrive për një rritje të mëtejshme të tij. Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi që në buxhetin e vitit 2011 të parashikohet përfundimi i të gjitha impianteve të përpunimit të ujërave, të cilat janë në ndërtim e sipër, në të gjitha zonat turistike. Gjithashtu, përsa i përket infrastrukturës, kryeministri kërkoi të parashikohen të gjitha resurset për kompletimin përfundimtar të saj, jo vetëm drejt zonave turistike, por gjithashtu drejt parqeve arkeologjike, zonave historike, në mënyrë që vizitorët t’i gjejnë sa më lehtë ato. “Çdo vizitor i huaj që vjen në Shqipëri do të donte të kishte mundësi të vizitonte Beratin, Butrintin, Gjirokastrën, pasi këto janë vende tashmë të njohura për pasurinë e tyre në fondin botëror të kulturës. Në këtë kontekst, duhet të ecim përpara me rrugët, në mënyrë ky fluks i madh vizitorësh t’i gjejë dhe t’i arrijë sa më lehtë këto vende”, - tha Berisha.

Reagimi
Kodheli: “Berisha mashtron për rritjen e numrit të turistëve në Shqipëri”

Partia Socialiste deklaron se turizmi në Shqipëri, krahasuar me një vit më parë, lë shumë për të dëshiruar. Reagimi vjen nga deputetja Mimi Kodheli, pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha dje në mbledhje qeverie. “Kryeministri i vendit doli në mbledhje qeverie dhe përsëri heshti në lidhje me ato që janë shqetësimet e vërteta këtyre ditëve të nxehta, korrupsionin dhe sigurinë e jetës. Sali Berisha flet për turizmin në Shqipëri sikur t’i ketë sjellë vetë ai të gjithë turistët që kanë vendosur të vizitojnë vendin këtë verë. Sali Berisha numëron për turist çdo qytetar shqiptar apo të huaj që kthehet nga emigracioni apo që tranziton në Shqipëri, për arsye që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me turizmin. Por, e vërteta është se kryeministri e pushteti që ai drejton kanë dështuar në mënyrë të përsëritur në ato që duhet të ishin misioni i tyre para çdo sezoni vere”, - u shpreh Kodheli. Sipas Kodhelit, nuk mund të ketë rritje të numrit të turistëve kur aksidentet në Shqipëri janë më të larta në Europë. “Nëse deklarohet që turizmi është prioritet e nëse kryeministri krenohet kaq shumë me të, si ka mundësi që aksidentet në Shqipëri janë më të lartat për frymë në Europë. Çdo vit ne gjendemi përpara këtij fakti, e po çdo vit pushteti i Berishës dështon në marrjen e masave për ta reduktuar sadopak këtë bilanc tragjik”, - tha Kodheli. Deputetja socialiste ka kritikuar qeverinë se në sezon pushimesh ka lejuar të zhvillohen punime në disa rrugë kryesore të vendit. Në këto kushte, është shtuar dhe numri i aksidenteve. “Këtë vit pushteti ka vendosur në mënyrë krejt të papërgjegjshme të lejojë që të ketë punime në disa arterie kyçe të rrugëve të vendit, duke vështirësuar lëvizjen dhe krijuar premisat për aksidente. Segmente si Durrës-Kavajë, Ballsh-Tepelenë, apo Gjirokastër-Sarandë, në këtë kohë kanë lëvizjen e tyre më të ngjeshur. Punimet duhet të ishin përshpejtuar më parë, e ndaluar në muajin gusht për të lehtësuar lëvizjen e turistëve. Për të mos përmendur pastaj akse si ai Fier-Vlorë, ku nuk është hedhur as edhe një lopatë apo riparuar një rrugë që po shndërrohet në rrezik jete të të gjithë turistëve që udhëtojnë në Jug”, - u shpreh Kodheli.

19 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›