Delijorgji: Biseda ime me Patrik Henrin, 1 ditë para shpërthimit
Tiranë- Seanca e djeshme gjyqësore ndaj të pandehurve të Gërdecit nuk ka kaluar pa debat mes palëve. Ashtu sikurse ishte parashikuar, Mihal Delijorgji, një nga të pandehurit kryesorë të këtij procesi, është paraqitur për herë të dytë në sallën e gjyqit, por këtë radhë për të dhënë shpjegime në cilësinë e përfaqësuesit te kompanisë “Albademil”, kjo e fundit subjekt tregtar i pandehur në këtë proces. Ky moment ka shkaktuar debate të ashpra mes avokatëve të Delijorgjit dhe kompanisë “Albademil” dhe prokurorëve, duke detyruar kryetarin e seancës të paralajmërojë palët se do t’i largonte nga salla e gjyqit. “Jemi në seancë gjyqësore dhe jo në mbledhje kooperative”- tha kryetari i seancës, Ridvan Hado, duke paralajmëruar palët për të vendosur rregull në seancë. Avokatët dhe vetë Delijorgji kërkuan të pyetet në cilësinë e administratorit të kompanisë “Albademil”, ndërsa përfaqësuesit e akuzës dhe gjykata thanë se gjatë kërkesave paraprake prokurorët nuk kanë kërkuar dëshminë e përfaqësuesit të kompanisë, e cila është e pandehur në këtë proces gjyqësor. Pas disa debatesh, Mihal Delijorgji kërkoi të bënte një deklaratë para gjykatës, gjatë së cilës sqaroi, sipas tij, pozicionin real që kishte në kompaninë e demontimit të predhave dhe raportet me ortakun amerikan Patrik Henri. Mihal Delijorgji tha se në cilësinë e bashkëortakut të kompanisë, ai përgjigjej për anën financiare të saj, ndërsa për teknikën dhe sigurinë përgjegjësi kishte amerikani Patrik Henri, i cili gjithashtu kujdesej edhe për transportin e barutit që përfitohej nga demontimi i predhave. “Ramë dakord dhe caktuam si drejtor të përgjithshëm të fabrikës z.Dritan Minxolli. Për anën financiare dhe nënproduktet për përfituara, Minxolli komunikonte me mua. Ndërsa për anën teknike dhe barutin përgjigjej Patrik Henri, i cili ishte pajisur me certifikatë nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të ilustruar këtë deklaratë, Delijorgji vuri në dispozicion të gjykatës një certifikatë që Ministria e Mbrojtjes i kishte dhënë kompanisë amerikane “SAC” për shitjen e sasisë prej 700 tonë barut. Më tej, i pandehuri Delijorgji tregoi para gjykatës një bisedë që kishte zhvilluar me ish-ortakun e tij Patrik Henri, një ditë para shpërthimit të 15 marsit 2008 në zyrat e një kompanie që ai kishte në Tiranë. “Patrik Henri ndodhej prej rreth një jave në Shqipëri, ndërsa unë kam qenë jashtë dhe jam kthyer ditën e enjte (13 mars 2008, dy ditë para shpërthimit). Në datën 14 mars kam zhvilluar një takim me Patrik Henrin në zyrat e kompanisë sime në Tiranë. Gjatë bisedës, prezent ka qenë edhe drejtori i fabrikës së demontimit, Dritan Minxolli. Në bisedë, Patrik Henri më ka thënë se ka qenë në Gërdec dhe aty gjithçka ishte në rregull”- tha dje para gjykatës Mihal Delijorgji. Më tej ai sqaroi një kërkesë të Patrik Henrit lidhur me një shumë parash, me të cilat do të paguhej transporti i sasisë prej 700 tonë barut me një vapor izraelit, që do të vinte në fund të muajit mars 2008 në portin e Durrësit. “Gjatë bisedës, Patrik Henri më tha se kishte probleme financiare dhe më kërkoi të shes 200 tonë tunxh. Më dha nr e telefonit dhe nr e llogarisë ku do të kryhej transferta e parave që do të përfitohej nga shitja e tunxhit”- tha Delijorgji, i cili sqaroi se kishte qenë disa herë në Gërdec, por askush nuk ishte ankuar për ndonjë problem të mundshëm aty.