E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, në fund të janarit tjetër valë e gripit të derrit

 zirina llambroPandemia e gripit të derrave nuk ka kaluar aspak. Një valë e re, edhe më e fuqishme se e para, pritet të mbërthejë Evropën në fund të janarit dhe gjatë muajit shkurt. Alarmi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Drejtuesit e saj kanë paralajmëruar për rritje të vigjilencës, në mënyrë që situata të mbahet nën kontroll. Sipas tyre, këto ditë është vënë re një shtim i rasteve me grip derrash në Evropën veriore dhe pritet që kjo valë të zbresë në qendër dhe në jug. OBSH këshillon vaksinim të grupeve në risk e ruajtje të higjienës. I kontaktuar nga gazeta, Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllubm Pipero, konfirmon paralajmërimet e OBSH. Sipas tij, në favor të një vale të dytë të të prekurve nga gripi i derrave është edhe sezoni dimëror. "Organizata Botërore e Shëndetësisë na ka paralajmëruar për një zbritje të virusit dhe për një rritje të mëtejshme të rasteve me gripin e derrave. Kjo edhe për shkak të motit të ftohtë, ku grumbullimet masive në njerëz janë më të mëdha, por edhe për faktin se një pandemi e këtyre përmasave nuk mund të kalojë vetëm me një fazë", tha Pipero. Sipas tij, nëse kësaj here do të gjendemi përballë një situate më të rëndë, kjo mbetet për t'u vërtetuar. "Gjithsesi strukturat shëndetësore do të jenë në gatishmëri të plotë, për të përballuar çfarëdolloj situate më të cilën mund të përballemi", tha Pipero. Ai i bëri edhe njëherë apel popullatës për të mos neglizhuar shenjat e sëmundjes si dhe për të qënë sa më të kujdesshëm me higjienën dhe vendet publike. Deri tani në vendin tonë kanë humbur jetën 11 persona nga virusi i gripit të derrave. Pjesa më e madhe e tyre kanë qënë të sëmurë kronikë. Aktualisht në sanatorium janë të shtruar 2 persona, të cilët po luftojnë me vdekjen. Ata kanë rreth 2 javë që janë shtruar dhe po mbahen në terapi intensive. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është mjaft kritike dhe nuk dihet nëse do të mbijetojnë apo jo. Ndërkohë, sa i përket vaksinës kundër gripit të derrave, numri i atyre që e kanë injektuar tashmë mbetet shumë i ulët. Bluzat e bardha këshillojnë që sidomos të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna duhet ta kryejnë këtë vaksinë. Ata garantojnë se nuk ka afekte anësore, por mesa duket nuk janë bindës për popullatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›