E Diel, 1 Nëntor 2026

Papajani: Rishikim ligjit të falimentit

 Paketa fiskale në përbërje të së cilës janë një grup ligjesh të miratuara së fundmi u diskutuan dje në takimin që Dhoma Amerikane e Tregtisë organizoi me anëtarët e saj dhe kreun e tatimeve Artur Papajani. Debati fillimisht u përqendrua në ndryshimin e Ligjit të Procedurave Tatimore sipas të cilit bizneseve që nuk ju është kredituar TVSH - ja mund të mos paguajnë në të njëjtën vlerë detyrimin tatimor dhe të jenë të shlyer me tatimet. Edhe pse përfaqësuesit e tatimeve dhanë shpjegime mbi mënyrën se si po zbatohet ligji, nga debati rezultoi se s'ka pasur asnjë zbatim konkret për biznese që kanë përfituar nga ky nen i ligjit. Ligji ka hyrë në fuqi, por të gjithë subjektet deklarojnë se vazhdojnë të paguajnë rregullisht detyrimet tatimore sipas datës dhe asnjë kompensim nuk i bëhet vlerës së TVSH-së pa kredituar. Në koherencë me këtë drejtuesit e tatimeve kanë sqaruar se është duke dalë aktualisht një udhëzim i Ministrisë së Financave që do ta rregullojë këtë marrëdhënie duke bërë që automatikisht me datë 14 të çdo muaji kur paguhet tatim fitimi dhe sigurimet shoqërore do të bëhet kompensimi për të gjitha subjektet karshi të cilave shteti është debitor me mos likuidim të TVSH-së. Një tjetër moment në të cilin u ndal diskutimi ishte mënyra e zbatimit të Ligjit të Falimentit dy muaj më parë nga Drejtoria e Tatimeve. Si rezultat i kësaj u nxorën në faliment rreth 100 kompani të mëdha dhe të njohura në vend. Kreu i tatimeve Papajani sqaroi se zbatimi i detyrueshëm dhe mekanik i atij ligji solli mjaft probleme për bizneset. " Unë nuk dua që punonjësit e mi të bëhen pre e represionit që vjen ndonjëherë nga zbatimi i ligjit dhe duhet thënë se ai ligj ka problem dhe këto i reflektoi gjatë zbatimit të tij" "u shpreh ai duke mos përjashtuar edhe faktin që ka biznese që duheshin trajtuar me këtë ligj dhe ishin kontingjent i këtij ligji. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka shërbyer sërish si një pikë debati ku shumë biznese kanë propozuar pagimin e TVSH-së nga të gjithë bizneset pa dallim. Sipas tyre tatimet duhet të zbatojnë një faturë unike për të gjitha bizneset pasi nëse është konsumatori i fundit që paguan duhet që të gjithë ta paguajnë. "Nëse paguan çdo individ TVSH për çdo produkt që ble pse të mos paguajë dhe një biznes" u shprehën përfaqësues të bizneseve. Sipas tyre duke zbatuar këtë sistem, tatimorët thjesht po ndihmojnë në rritjen e evazionit fiskal. Lidhur me këtë çështje përfaqësuesi i një kompanie konsulence deklaroi se ulja e pragut të TVSH-së do t'i vinte realisht në vështirësi këtë kategori biznesi i cili ka filluar në formë masive të ndryshojë NIPT dhe pronar për t'i shpëtuar pragut nivelit të madh. Propozimi i bërë është që tatimorët të vendosin ndryshimin në ligj për të futur të gjithë kategorinë e biznesit në skemën e TVSH-së dhe t'i lënë një periudhë kohe dy vjeçare për ta implementuar sepse kjo është kohë e mjaftueshme që bizneset të njihen me ligjin. Lidhur me këtë Papajani u shpreh se Administrata Tatimore nuk ka kapacitetin e duhur për të marrë në ngarkim 70 mijë subjekte dhe për këtë është vendosur një prag në mënyrë që ato të kalojnë pjesë-pjesë. "Ne kemi kaluar 15.600 subjekte nga të cilët 1500 janë pasive dhe pjesa tjetër janë aktiv dhe kaq është maksimumi që mund të bëjmë" tha ai. Në fund ai u shpreh se bizneset që mbyllin aktivitetin për të hapur një tjetër me një tjetër NIPT do të kenë kosto administrative nga mbajtja e biznesit.             n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›