Qeveria kërkon borxh 300 milionë euro
Redi GjuziQeveria po kërkon zyrtarisht të marrë 300 milionë euro, në formën e eurobond-it për të financuar deficitin. Lajmi, është bërë zyrtar nga kërkesa e Ministrisë së Financave për të lajmëruar bankat dhe tregjet ndërkombëtare për financimin e deficitit. Ky borxh, tejkalon të gjithë borxhet e tjera të marra nga jashtë në mënyrë të menjëhershme. I pyetur nga gazeta, Zv. ministri i Financave, Nezir Haldeda, theksoi se ky veprim i financave, nuk do të shtojë borxhin e parashikuar për vitin 2010, por do e konvertojë atë në monedhë të huaj. E thënë më thjeshtë, qeveria, ashtu si vjet kur kërkoi 200 milionë euro borxh, për financimin e deficitit, këtë vit po kërkon 300 milionë euro. Në kushtet e emetimit të eurobond-it, parashikohet që afati të jetë 3-5 vjet. Financat, njoftojnë tregjet ndërkombëtare që paratë do të përdoren për "financime të përgjithshme". Financat, kërkojnë që institucionet financiare të huaja, të kthejnë përgjigje për ofertat e tyre brenda 30 janarit të këtij viti. Pas kësaj date, Ministria e Financave do të zgjedhe katër nga ofertat për të filluar negocimin. Emetimi i eurobond-it, përjashton pjesëmarrjen e bankave vendase në këtë ankand. Duket se financat po përpiqen të japin sinjale të forta për bankat e nivelit të dytë, se borxhin për financimin e deficitit do e marrin nga jashtë. Në fakt, Bode e kishte parashikuar që vjet, gjatë takimit me FMN, që kostoja e borxhit në vend është shumë e lartë dhe se në vitin 2010 do shikohej mundësia e financimit nga jashtë. "Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përben një sfide, ndaj jemi përgatitur ne pranvere që Shqiperia te dale ne tregun ndërkombëtar për te financuar nevojat e vendit për para me një kosto shume me te mire", ka theksuar Bode. Financat, thjesht e kanë bërë më shpejt një veprim të tillë. Në buxhetin e shtetit, theksohet se deficiti buxhetor për vitin 2010 do të jetë 49.766 miliardë lekë. Me kursin e sotëm të euros shuma e kërkuar nga ministria e financave do të arrinte vlerën e 41.7 miliardë lekëve, ose rreth 90 për qind e totalit të borxhit që duhet të marrë qeveria gjatë gjithë vitit. Por duhet theksuar se një pjesë e kësaj eurbond-i mund të shërbejë për shlyerjen e borxhit që është marrë vjet. Kjo në rast se interesat e ofruara nga tregjet ndërkombëtare për eurbond-in do të jenë më të leverdishme sesa ato të vjetshme. Në këtë mënyrë, në rast se financat do të marrin borxhin nga jashtë prej 300 milionë eurosh, një pjesë do të shkojë për shlyerjen e 200 milionëve të një viti më parë dhe vetëm pjesa tjetër për financimin e deficitit. Efekti që pritet të sjellë borxhi në euro, është një stabilizim i kursit të këmbimit. Por nga ana tjetër, qeverisë i intereson, në një farë mënyre (duke pasur parasysh se qeveria i bën shpenzimet dhe pagesat në lekë, përjashtuar Bechtel-Enka) një kurs i shtrenjtë i euros. Efekti tjetër, ka të bëjë me rritjen e kreditimit. Financimi i deficitit me para që vijnë nga jashtë vendit, do të bënte që bankat vendase të mos jenë më aktive në tregun e bonove të thesarit, dhe të rrisin sasinë e kredisë për bizneset dhe individët.