Godo: Rritet artificialisht numri i minoritarëve në vend
Politikani i njohur Sabri Godo kritikon dy pyetjet e pyetësorit mbi regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. I kontaktuar nga gazeta "Panorama", ai propozon që shqiptarët të pyeten më parë nëse do të duan të përgjigjen për këto dy pika dhe më pas ato të përfshihen në pyetësor. "S'kemi pse të kemi këtë ngut tani të shpenzojmë 15 milionë euro për një pyetësor që është i nevojshëm, por që s'ka nevojë të ngarkohet me gjëra të tepërta që s'kemi asnjë përfitim. Qeveria le të bëjë një sondazh në opinionin publik dhe të pyesë nëse dëshirojnë shqiptarët të kenë të dhëna mbi këto dy gjëra, mbi etninë dhe përkatësinë fetare", tha Godo. Ai hodhi hije dyshimi mbi deklarimin e etnisë, për shkak se një numër qytetarësh të nxitur nga faktorë të jashtëm e kanë ndryshuar atë. "Kjo është me të vërtetë mjaft delikate sepse dihet që shumë shqiptarë, numrin nuk e di me saktësi, që kanë ndryshuar kombësinë me dokumente të rreme, për shkak të vizave ose ata persona që paguhen nga disa vende, si Greqia në radhë të parë. Ka njerëz që kanë marrë kombësinë bullgare që të kenë të drejtën të qarkullojnë në Evropë, sikundër një pjesë e madhe janë regjistruar grekë për këtë arsye. Kjo do të rriste artificialisht minoritetet në Shqipëri", tha Godo. Në të njëjtën kohë, kreu i Asamblesë së Republikanëve kritikoi edhe pyetjen mbi fenë. "Mendoj se për përkatësinë fetare nuk e shoh çfarë dobie do nxirret. çfarë të dhënash na jep kjo për të bërë diçka në të ardhmen? Vetëm se nxit në mënyrë indirekte rivalitet fetare. Prej kohësh, shumica e shqiptarëve kanë bërë martesa të kryqëzuara, kanë hequr dorë nga paragjykimet fetare. Tani një njeri as nuk të bie në mend ta pyesësh, cilit besim fetar i takon. Kjo do prekë edhe të drejtën private të njeriut. Janë fëmijë që vijnë nga martesa të kryqëzuara, nuk e kanë të përcaktuar cilit besim fetar i takon", u shpreh Godo.